Policia e Kosovës ka konfiskuar katër armë të gjata gjatë një bastisjeje në veri të Mitrovicës.
Policia ka bërë të ditur se bastisja është realizuar pas kanosjes ndaj ministrit të MPB-së, Xhelal Sveçla nga një pjesëtar i komunitetit serb.
“Kanosja dyshohet se është kryer nga një i dyshuar mashkull kosovar i nacionalitetit serb, andaj pas veprimeve hetimore, sot janë kryer bastisje në dy lokacione të komunës së Zubin Potokut, ku janë gjetur dhe konfiskuar katër armë të gjata të llojeve të ndryshme”, thuhet në njoftim.
“Në njërin lokacion janë hasur tri armë, përderisa në lokacionin e dytë një armë. Dy nga këto armë kanë qenë me leje dhe dy tjera pa leje. Personi i dyshuar i cili ka kryer kanosjen dyshohet se gjendet jashtë vendit”, thuhet më tej.
Armët janë sekuestruar nga njësitet relevante policore, përderisa rasti vazhdon të hetohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
