Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës, Avni Arifi i ftuar në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, tha se ndryshimi i lidershipit nga Ramush Hardinaj te Ardian Gjini është pritur shumë mirë pasi simpatizantët e kësaj partie po besojnë te projekti i saj.
Arifi tha se qytetarët e kanë kuptuar se Haradinaj është pjesë e projektit politik të Aleancës si dhe mbështetës i saj.
“Ka ekzistuar një lloj hezitimi mos ndoshta ndryshimi i lidershipit dy javë para zgjedhjeve mundet me pasë implikime negative, por jo. Qytetarët e Kosovës, simpatizantët e Aleancës po besojnë projektin e Aleancës e cila tani do të udhëhiqet nga Ardian Gjini, ata po e shohin se Ramush Haradinaj është pjesëmarrës i projektit, mbështetës i projektit dhe nuk e kemi pasur fare këtë telashe që shumë parti në botë e kanë me ndërrimin e lidershipit”, tha Arifi.
Arifi deklaroi se përkrahja elektorale ka qenë e fuqishme për këtë subjekt politik dhe se është optimist për një rezultat më të mirë të kësaj partie.
“Po besojmë që kemi me dalë shumë më fuqishëm, përkrahja ka qenë e shumtë, janë afruar shumë qytetarë të Kosovës nga struktura tjera, nga segmente tjera të shoqërisë. Unë jam shumë më optimist për një rezultat më të mirë që e ka pasur kohët e fundit”, shtoi ai.
Ndër të tjerash, ai tha se Aleanca do të kalojë pragun dhe se sipas tij do të jetë më e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës se sa në legjislaturën e fundit.
“Pragu prej 2007 thojnë për Aleancën… Aleanca jo që e kalon pragun, është shumë më lart se sa pragu dhe një gjë e di se Aleanca do të jetë shumë më e pasur me deputetë se sa me 28 dhjetor”, tha tutje Arifi.
