Avokati Besnik Berisha ka reaguar ndaj aktgjykimit me të cilin është shpallur fajtor ish-ministri Endrit Shala, duke e cilësuar vendimin si një gabim të rëndë juridik dhe një precedent shqetësues për sigurinë juridike në Kosovë.
Berisha ka deklaruar se rasti i Shalës nuk paraqet dilema faktike, por ka të bëjë me interpretimin e dispozitave të Kodit Penal, duke insistuar se ligji nuk e njeh baxhanakun, kunatin apo personat në gjini krushqie si anëtarë të familjes për qëllime të veprës penale të konfliktit të interesit.
“Endrit Shala është i pafajshëm. Gjykata gaboi rëndë”, ka shkruar Berisha.
Sipas tij, neni 417 paragrafi 6 i Kodit Penal e përcakton në mënyrë të qartë dhe shteruese rrethin e personave që konsiderohen anëtarë të familjes, ndërsa gjykata nuk ka të drejtë të zgjerojë përmbajtjen e normës penale përmes interpretimit.
Berisha ka theksuar se parimi “nullum crimen, nulla poena sine lege” ndalon dënimin e qytetarëve mbi bazën e analogjisë apo interpretimeve që nuk mbështeten drejtpërdrejt në tekstin e ligjit.
Ai ka kujtuar se Shala ishte mbështetur në një opinion të Agjencisë Kundër Korrupsionit, sipas të cilit baxhanaku nuk konsiderohet person i afërt që mund të krijojë konflikt interesi penal sipas Kodit Penal.
Po ashtu, avokati ka përmendur edhe praktikën gjyqësore të mëhershme, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës Themelore në Pejë dhe një aktgjykimi të Gjykatës së Apelit, ku ishte konstatuar se personat në gjini krushqie nuk përfshihen në kategorinë e personave të përcaktuar nga neni 417.6 i Kodit Penal.
Berisha ka ngritur pikëpyetje edhe për faktin se Prokuroria kishte pushuar më herët hetimet për veprën penale të konfliktit të interesit, duke vlerësuar se nuk ekzistonin kushtet ligjore për ndjekje penale.
“Nëse një lidhje familjare nuk njihet nga Kodi Penal, nëse institucioni kompetent ka konstatuar se ajo nuk krijon konflikt interesi penal, nëse praktika gjyqësore e ka konfirmuar të njëjtin qëndrim dhe nëse vetë Prokuroria ka pushuar hetimet mbi këtë bazë, atëherë mbetet e vështirë të kuptohet se mbi cilën normë është ndërtuar fajësia e z. Endrit Shala”, ka shkruar ai.
Berisha ka vlerësuar se çështja tejkalon rastin individual të Shalës dhe prek vetë parimet e sundimit të ligjit dhe sigurisë juridike, duke shtuar se aktgjykimet duhen respektuar, por nuk janë të pagabueshme.
