Të fundit

Kosova ende pa raport për zbatimin e reformave nga Plani i Rritjes, edhe pse afati skadon në mesnatë

Kosova ende nuk e ka dorëzuar në Komisionin Evropian raportin mbi zbatimin e hapave reformues në kuadër të Planit të Rritjes, ka konfirmuar ky institucion për Radion Evropa e Lirë (REL).

Afati përfundimtar është 15 korriku, që praktikisht nënkupton se Kosova ka kohë deri në mesnatë për ta dorëzuar raportin në Bruksel.

Raporti është i domosdoshëm, sepse mbi bazën e tij Komisioni Evropian vlerëson shkallën e zbatimit të reformave, nga të cilat varen edhe pagesat e radhës nga Plani i Rritjes.

Për ndarjen e të hollave kërkohet vlerësim pozitiv i Komisionit Evropian.

Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it nëse do t’ia dalë ta dorëzojë raportin në kohë.

Deri më tani, Kosova ka marrë vetëm parafinancimin prej mbi 61 milionë eurosh, që përfaqëson shtatë për qind të shumës së përgjithshme prej 882 milionë eurosh të ndara për vendin.

Kosova nuk ka marrë ende asnjë këst të rregullt nga Plani i Rritjes, pasi vlerësohet se nuk e ka përmbushur asnjë hap reformues. Arsyeja kryesore ishte kriza institucionale që shënoi tërë vitin e kaluar dhe pamundësia për të vazhduar me zbatimin e reformave.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, konfirmoi se deri më tani katër shtete të rajonit kanë dorëzuar raportet e tyre mbi zbatimin e reformave.

“Komisioni Evropian është i gatshëm t’i ndihmojë partnerët nga Ballkani Perëndimor që të përshpejtojnë zbatimin e reformave të papërfunduara, në mënyrë që ato të realizohen brenda afatit të zgjatur”, konfirmoi për REL Mercier.

Përveç Kosovës, raportin ende nuk e ka dorëzuar as Bosnje e Hercegovina. Në Bruksel nuk presin që të marrin dokument nga Bosnja, pasi ky shtet ende nuk e ka miratuar Agjendën e Reformave.

Më 30 qershor përfundoi afati për periudhën e katërt raportuese.

“Pas pranimit të raporteve, Komisioni do të vlerësojë zbatimin e hapave përkatës të reformës dhe do të marrë vendim për ndarjen e fondeve përkatëse”, tha Mercier.

Video nga Paradoks

VV SHOW-Pushteti nuk ka problem Vita-n, por pronarin -Historia e marrëdhënieve të Kurtit me Devollët

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci