Kuvendi Komunal i Plevlës, me votat e 18 këshilltarëve, miratoi Deklaratën për mosnjohjen e vendimit për njohjen e pavarësisë, sipas tyre, “së shpallur në mënyrë të njëanshme” të Kosovës.
Pak para votimit, seancën e braktisën dy këshilltarë të Lëvizjes Evropa Tani dhe një këshilltar i pavarur, megjithëse më herët kishin marrë pjesë aktive në debat, transmeton Paparaci.
Dje u mbajt një seancë e posaçme e Kuvendit Komunal të Plevlës, në të cilën këshilltarët shqyrtuan Propozim-deklaratën me të cilën kërkohet shfuqizimi i vendimit të Malit të Zi për njohjen e Kosovës.
Mbajtja e seancës u iniciua nga këshilltarët e koalicionit “Për të Ardhmen e Plevlës”, të përbërë nga Partia Demokratike Popullore (DNP) dhe Demokracia e Re Serbe (NSD). Sipas rendit të ditës së seancës, iniciativa u mbështet nga 18 këshilltarë të parlamentit lokal.
Propozuesit theksojnë se, me miratimin e deklaratës, parlamenti lokal do të shprehte qëndrimin se nuk e pranon vendimin e Qeverisë së Malit të Zi të vitit 2008 për njohjen e Kosovës.
Më herët, më 12 maj të këtij viti, Kuvendi Komunal i Zetës kishte miratuar një Deklaratë për shfuqizimin e vendimit për njohjen e Kosovës në territorin e asaj komune.
Mali i Zi e njohu Kosovën më 9 tetor 2008.
Kryetari i Partisë Demokratike Popullore (DNP) e pakicës serbe në Mal të Zi, Millan Knezheviq, përgëzoi këshilltarët e Kuvendit Komunal të Plevlës që votuan për vendimin mbi shfuqizimin e njohjes së Kosovës, duke vlerësuar se, sipas tij, ata kontribuuan që ky qytet t’i bashkohet Komunës së Zetës në korrigjimin e asaj që ai e quajti “padrejtësia më e madhe historike”, respektivisht njohja e “Kosovës së vetëshpallur”.
Ai njoftoi se edhe një komunë tjetër në Mal të Zi do të ndërmarrë të njëjtin veprim./Paparaci.com
