Analisti dhe gazetari Vehbi Kajtazi ka deklaruar se kryeprokurori ka arritur një marrëveshje me pushtetin për mbylljen e rasteve të korrupsionit që po hetohen nga Prokuroria Speciale.
Kajtazi tha se ndër rastet kryesore që synohet të mbyllen është edhe ai që lidhet me Martin Berishajn.
Në emisionin VV Show, gjatë debatit me analistin Visar Ymeri tha se “Kryeprokurori ka një marrëveshje me pushtetin që lëndët e korrupsionit, të cilat janë në Prokurorinë Speciale, të mbyllen. Çështja e parë me të cilën do të merren, që është edhe dhimbja më e madhe e pushtetit të Albin Kurtit, është rasti i Martin Berishajt. Këtë rast synojnë ta mbyllin pa aktakuzë.
Si do ta bëjnë një gjë të tillë? Ende Kuvendi nuk është konstituar. Nëse konstituohet Kuvendi dhe formohet Qeveria, ata do ta procedojnë me urgjencë një ligj, i cili e ndan Prokurorinë Speciale, me arsyetimin se po krijohet një Prokurori Speciale vetëm për korrupsion. Kur të bëhet kjo ndarje, Prokuroria Speciale, që udhëhiqet nga Blerim Isufaj, do të mbetet vetëm me kompetenca për krime lufte dhe terrorizëm. Ndërkaq, pjesa e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare do t’i kalojë kësaj prokurorie të re, me qëllim që të mbyllen lëndët e korrupsionit”, ka deklaruar Kajtazi.
