Ushtria e Sudanit ka njoftuar se ka rimarrë kontrollin e autostradës strategjike Al Sadarat, që lidh kryeqytetin Khartum me qytetin El Obeid, pas dy ditësh përleshjesh me Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF).
Sipas ushtrisë, operacioni ka mundësuar rimarrjen e disa zonave përgjatë rrugës dhe pritet të lehtësojë transportin e trupave, furnizimeve dhe ndihmave drejt El Obeid, qytet që prej muajsh ndodhet nën presionin e RSF-së.
Rihapja e kësaj rruge konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm ushtarak dhe humanitar, pasi mund të përmirësojë qasjen e ndihmave për rreth 500 mijë banorët e bllokuar në El Obeid, ku OKB-ja ka paralajmëruar për përkeqësim të situatës humanitare.
Konflikti mes ushtrisë sudaneze dhe RSF-së, që nisi në prill të vitit 2023, ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ka zhvendosur mbi 14 milionë njerëz.
