Të fundit

Durim Halilaj: VV po tenton të përvetësojë projektet e Gjakovës, “Bujar Roka” është vizion i Aleancës dhe Ardian Gjinit

Anëtari i kryesisë së Aleancës, njëherësh Drejtor i Financave në Komunën e Gjakovës, Durim Halilaj, ka reaguar ndaj postimeve të fundit të eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me rrugën “Bujar Roka”, duke i akuzuar ata për përpjekje për përvetësimin e një projekti të nisur dhe zhvilluar nga Komuna e Gjakovës.

Halilaj ka thënë se ky projekt nuk lidhet me qeverisjen aktuale qendrore, por është rezultat i punës së komunës dhe kryetarit Ardian Gjini, i cili sipas tij është projektuar, nisur dhe kontraktuar që nga viti 2019.

“Është sa qesharake aq edhe dëshmi e plogështisë së këtij pushteti që zyrtarë të nivelit qendror tentojnë të bëjnë politikë me projekte që Gjakova i ka projektuar, nisur dhe kontraktuar që nga viti 2019”, ka shkruar Halilaj.

Ai ka theksuar se punimet në arterien rrugore “Bujar Roka”, me gjatësi prej 2,731 metrash dhe vlerë mbi 3.5 milionë euro, kanë filluar zyrtarisht në shtator të vitit 2019, duke shtuar se investimi është mundësuar me mbështetjen e qeverisë së atëhershme të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Sipas tij, projekti përfshin shtigje për këmbësorë dhe çiklizëm, gjelbërim, dy rrethrrotullime dhe një urë të re, ndërsa është realizuar nga Komuna e Gjakovës. Halilaj ka kritikuar pushtetin qendror për vonesa në realizimin e këtij projekti, duke pretenduar se ndërhyrjet në buxhet dhe vonesat administrative kanë ndikuar në zgjatjen e punimeve.

“Merita e vetme e pushtetit aktual qendror në këtë projekt është zvarritja dhe përpjekja për bllokim”, ka deklaruar ai. Drejtori i Financave në Gjakovë ka kërkuar nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes që t’u tregojnë qytetarëve të Gjakovës për ndonjë projekt të ri kapital të sjellë gjatë këtij mandati. “Përgjigja është e thjeshtë: asnjë”, ka shkruar Halilaj.

Në fund, ai ka thënë se projektet si Qarkorja e Gjakovës dhe rruga “Bujar Roka” janë “vizion dhe punë e Aleancës dhe kryetarit Ardian Gjini”, duke shtuar se përpjekjet për t’i atribuuar këto projekte pushtetit qendror janë vetëm përpjekje politike.

Video nga Paradoks

VV SHOW - A ma shumë ka gjasa që LDK të bëjë kualicion me Vetvendosjen, apo të rrëzohet Abdixhiku

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci