Këngëtarja dhe aktorja e njohur, Jennifer Lopez, në një intervistë ekskluzive për revistën “People” ka folur për filmin e ardhshëm “Marry Me” dhe historinë e bukur të dashurisë me aktorin, Ben Affleck.
Në këto vitet e fundit, JLo ka shumë arsye për të qenë falënderuese dhe e lumtur.
Fillimisht, karriera e saj filmike dhe muzikore është në kulmin e suksesit, komedia e saj e re romantike, “Marry Me”, lansohet më 11 shkurt të këtij viti, fëmijët e saj 13-vjeçarë, Max dhe Emme, janë të lumtur dhe të shëndetshëm, kohëve të fundit ajo e ka gjetur një rehati dhe qetësi shpirtërore të cilën e ka ëndërruar gjithë jetën dhe po i shijon momentet më të lumtura me të dashurin e saj, Ben Affleck.

“Kurrë nuk kam qenë më mirë. Thjeshtë, që të gjithë gjendemi në një moment të bukur të jetës”, ka deklaruar 52-vjeçarja për revistën prestigjioze “People”.
Sigurisht, meritat për gjithë këtë lumturi i ka edhe i dashuri i saj Affleck.
“Po ndihem shumë fatlume, e lumtur dhe krenare që jam me të. Kjo është një histori e bukur e dashurisë dhe jemi me fat që lidhjes sonë iu dha një mundësi e dytë për të funksionuar”, tha Lopez, duke reflektuar mbi dashurinë e tyre.
Pasi çifti i cili fillimisht kishte qenë në lidhje nga viti 2002 deri më 2004, por i kishte dhënë fund fejesës pak javë para se të martoheshin, u ribashkuan në pranverë të vitit 2021. Lopez e pranoi se në fillim kishin paksa frikë ta bënë publik lajmin e ribashkimit, marrë parasysh vëmendjen mediale që e kishin marrë si çift para pothuajse 20 vjetësh. Por, kësaj radhe gjërat janë më ndryshe mes tyre dhe që të dy po ndihen më të sigurt në këtë lidhje.
“Tani jemi më të moshuar, më të mençur, kemi më shumë eksperiencë dhe gjendemi në periudha tjera të jetës. Kemi fëmijë të rritur dhe duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm për ta. Që të dy e ruajmë shumë raportin tonë dhe familjet tona, ngase të gjithë jemi duke përjetuar momente të bukura të jetës. Thjeshtë ndihem e lumtur dhe me fat që jam në një lidhje të këtillë ku mbizotëron gëzimi dhe dashuria, dhe dua ta bëjë të pamundurën për ta mbajtur këtë raport tonin sa më të sigurt. E meritojmë vërtetë dhe e konsiderojmë lidhjen tonë shumë të shenjtë”.
Derisa ajo pajtohet se përfshirja e fëmijëve në një lidhje të re mund të jetë delikate, Lopez tha: “Unë sinqerisht besoj se dashuria zotëron mbi të gjitha. Dashuria gjithmonë fiton. Gjithçka ka të bëjë me faktin se sa i dashur, i afërt dhe i hapur di të jesh. Duhet të mos kesh ego dhe thjeshtë t’i pranosh gjërat e mira dhe të mendosh gjithmonë me pozitivitet. Kur je në një lidhje të mirë dhe të shëndetshme, të gjithë përfitojnë nga kjo. Përfshirë këtu edhe fëmijët”.
