Të fundit

Analiza e CNN: A po kërkon Putin një justifikim për luftën në Ukrainë?

Presidenti rus Vladimir Putin është një njeri që i pëlqen të ketë opsione të hapura dhe kriza ukrainase nuk bën përjashtim: derisa lideri i Kremlinit sinjalizon gatishmërinë e tij për t’u angazhuar në frontin diplomatik, ai gjithashtu mbështet luftën, shkruan CNN.

Le të marrim situatën në Donbas, territoret e Ukrainës që kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Në një konferencë shtypi me kancelarin gjerman Olaf Scholz të martën, Putin përdori fjalën “gjenocid” për të përshkruar situatën atje.

“Sipas vlerësimeve tona, ajo çfarë sot po ndodh në Donbas është gjenocid”, ka pretenduar Putin, transmeton Paparaci.

Scholz më vonë u ka thënë gazetarëve se Putini kishte “gabuar” kur kishte përdorur këtë termin. Por ato komente tashmë kishin dalë në publik dhe Putini vetëm sa e intensifikoi retorikën e tij.

Akuza e Putinit për Donbasin nuk është e re. Ai vazhdimisht ka folur për atë që e ka përshkruar si “shkelje e të të drejtave të rusëve etnikë dhe rusisht folësve në Ukrainë” dhe ka deklaruar se është brenda të drejtave të Rusisë që të ndërhyjë ushtarakisht për t’i mbrojtur ata, shkruan CNN.

Por Putini duket se po mbron versionin e tij të “përgjegjësisë për mbrojtje” pa marrë parasysh se sa larg është situata në Donbas nga Ruanda – ku janë vrarë më shumë se 800.000 njerëz për 100 ditë në vitin 1994 ose Srebrenica, ku janë therë më shumë se 8.000 njerëz në vitin 1995 kryesisht burra dhe djem myslimanë.

Thirrja në gjenocid pasqyron pretendimin e rremë të Rusisë se fqinji i saj Gjeorgjia kreu gjenocid kundër civilëve në Osetinë Jugore të shkëputur në gusht 2008. Gjatë atij konflikti të shkurtër, Rusia nisi një pushtim masiv ushtarak që përfshiu pjesën më të madhe të territorit të Gjeorgjisë – një skenar që e shqetëson Perëndimin sot kur bëhet fjalë për Ukrainën.

Komiteti hetimor, organi më i lartë i zbatimit të ligjit në Rusi, i çoi komentet e Putinit një hap më tej të mërkurën kur publikoi se kishte hapur një hetim penal për provat e supozuara të asaj që ai e quajti “granatim pa selektim” të civilëve në rajonin e Donbasit nga ana e forcave ukrainase në vitin 2014.

Në një deklaratë për shtyp me gjuhë të theksuar politikisht, Komiteti deklaroi se kishte nisur procedimin sipas pjesës 1 të nenit 356 të Kodit Penal të Federatës Ruse, i cili i referohet maltretimit të civilëve dhe përdorimit të mjeteve dhe metodave të ndaluara nga traktati ndërkombëtar mbi konfliktin e armatosur.

Deklarata e Komitetit Hetimor i përsëriti fjalët e Putinit për gjenocidin, duke theksuar se: “Synimi për të shfarosur banorët e Donbasit është i qartë – hetimi rus ka vërejtur qindra fakte të tilla që kualifikohen si provë e përdorimit të mjeteve dhe metodave të ndaluara të luftës”, transmeton Paparaci.

Është e qartë pse Kremlini dëshiron të ndryshojë temën: në vitin 2015, për shembull, granatimet për të cilat akuzohen separatistët e Donbasit të mbështetur nga Rusia morën të paktën 30 jetë në qytetin juglindor të Ukrainës, Mariupol.

Që nga fillimi i konfliktit në Donbas në vitin 2014, mijëra civilë janë vrarë dhe plagosur në luftime, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara. Por paralajmërimi i hetimeve – jo nga një organ i pavarur dhe në kulmin e konfrontimit me Ukrainën – duket si një lëvizje e qartë politike, pavarësisht vërtetësisë së akuzave.

Dhe këtu është çështja e statusit ligjor të rajoneve separatiste të Donbasit. Rusia kurrë nuk i ka njohur republikat e vetëshpallura popullore të Donetskut dhe Lunhaskut si shtete sovrane dhe të pavarura, edhe kur u ofroi pasaporta ruse njerëzve që jetonin atje.

Në fillim të kësaj jave, ligjvënësit rusë i bënë thirrje presidentit rus që të njohë republikat separatiste si të pavarura. Kjo gjithashtu krijon një situatë të mundshme në të cilën Rusia mund të shprehë nevojën për t’iu përgjigjur “agresionit” të Ukrainës kundër atyre territoreve të vetëshpallura.

A do të ndodh kjo? Njohja e republikave popullore të Donetskut dhe Luhanskut do të shkatërronte në mënyrë efektive marrëveshjet e Minskut, një paketë masash që Kremlini tani thotë se është mënyra e vetme për t’u zgjidhur kriza ukrainase. Por krijimi i më shumë problemeve mund t’i sjellë dobi edhe Kremlinit: kjo zgjeron menynë e opsioneve që janë në dispozicion të Putinit./Paparaci

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci