Të fundit

Waitz: Serbia duhet ta pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën e pavarur

Bashkëkryetari i Partisë Evropiane të Gjelbërve dhe deputeti i Parlamentit Evropian Thomas Waitz ka thënë në një intervistë për Kosova Online se Serbia duhet të pranojë realitetin se Kosova është e pavarur dhe se është e rëndësishme që Kosova të respektojë të drejtat e plota të pakicave etnike, në këtë rast të serbëve të Kosovës.

Ai ka thënë se qëllimi i marrëveshjes së përbashkët është njohja reciproke, dhe se kjo është edhe baza e marrëveshjes së përbashkët që mund të nënshkruhet në të ardhmen.

“Është një arritje e respektueshme që negociatorët kanë gjetur zgjidhje për shembull për energjinë, pa atë njohje reciproke, sepse për mua njohja reciproke duhet të jetë baza e negociatave. Megjithatë, nëse kjo nuk është pika fillestare, njohja reciproke duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje të përbashkët”, ka thënë Waitz, transmeton Paparaci.

Kohë më parë ambasadorja franceze në Kosovë ka deklaruar se zgjidhja në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet deri në vitin 2024-2025. Sa është real ky afat për gjetjen e një zgjidhjeje?

Bashkëpunimi i të gjitha subjekteve në rajon ka një rëndësi aq të madhe për zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e infrastrukturës dhe institucioneve, saqë ky afat më duket shumë i gjatë. Në interes të të gjithë qytetarëve në Ballkanin Perëndimor, zgjidhjet duhet të gjenden shumë më herët. A është reale apo jo, do të vendoset me vullnetin e të gjitha palëve për pajtim dhe vënien e interesit të përbashkët të të gjithë qytetarëve para interesave të pjesshme.

A ka ngecur dialogu aktual që po e udhëheqë BE?

Në fakt, ka pasur një mungesë progresi në muajt e fundit, gjë që unë e shoh të bazuar në procesin aktual zgjedhor në Serbi dhe mosgatishmërinë për të prekur këtë temë të diskutueshme në Serbi gjatë fushatës zgjedhore. Megjithatë, pres që dialogu të rifillojë shpejt pas zgjedhjeve dhe të sjellë zgjidhje konkrete.

Cili do të ishte kompromisi i vërtetë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Për Serbinë është fare e qartë, është koha të pranojë realitetin politik të Kosovës së pavarur, e cila nuk do të zhduket duke mohuar ekzistencën e saj. Është e rëndësishme që pala kosovare të respektojë të drejtat e plota të pakicave etnike, në këtë rast të serbëve të Kosovës, gjuhën, identitetin kulturor dhe arsimimin e tyre. Dhe ne shohim në shumë vende të tjera evropiane se zgjidhjet e duhura, të arritura me respekt të ndërsjellë dhe trajtim të palës tjetër si të barabartë, janë afatgjatë dhe krijojnë një bazë të mirë për tejkalimin e së kaluarës, mosmarrëveshjeve dhe bashkëpunimit me respekt të ndërsjellë, në atë mënyrë që përfitojnë qytetarët dhe nevojat e tyre.

A duhet Kosova të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit?

Si kudo në Evropë, në rajonet ku pakicat etnike përbëjnë shumicën, atyre duhet t’u jepen të drejta të pjesshme për të vendosur në emër të tyre, si Tiroli i Jugut, Katalanja ose Skocia. Se si do të vendoset saktësisht kjo në kuadrin ligjor duhet të vendoset nga subjektet e përfshira. Duhet të pranojmë se debati aktual është helmuar nga tendencat secesioniste të Republikës Serbe brenda Bosnjës dhe Hercegovinës, duke përdorur autonominë e saj brenda BeH për të shkatërruar unitetin e shtetit. Edhe pse nuk mendoj se të dyja rastet janë drejtpërdrejt të krahasueshme, duhet të pranojmë se zhvillimet në BeH e bëjnë procesin më të vështirë për komunitetet serbe në veri të Kosovës.

A është përfundimisht jashtë tavolinës opsioni i korrigjimit të kufijve?

Opsione të tilla duhet të jenë jashtë tavolinës, sepse nëse hapim një qasje të tillë politike në një rajon multietnik siç është Ballkani Perëndimor, kjo do të nxiste mosmarrëveshje dhe do të kërcënonte paqen e brishtë midis popujve dhe zonave të ndryshme me pasoja dramatike.

Cili është roli i SHBA në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe cili është roli i Britanisë së Madhe tani pas emërimit të të dërguarit special?

E gjithë Aleanca Perëndimore ka interes jetik në ruajtjen e paqes dhe mbështetjen e prosperitetit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Dhe megjithëse ne e shohim BE-në si partnerin e parë, kontributet e miqve tanë nga MB dhe SHBA për stabilitet, paqe, pajtim dhe ndërtim të vërtetë të paqes janë shumë të mirëseardhura./Paparaci

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci