Danimarka do të mbajë një referendum për koordinimin e politikës së saj të mbrojtjes me atë të Bashkimit Evropian.
Referendumi do të mbahet më 1 qershor, pas pushtimit rus të Ukrainës, pothuajse 30 vjet pasi Danimarka kishte vendosur që të tërhiqej nga koordinimi i politikave të mbrojtjes me BE-në, njoftoi të dielën kryeministrja daneze, Mette Frederiksen.
“Kohët historike kërkojnë vendime historike”, u tha kryeministrja gazetarëve të dielën, duke paralajmëruar rritje të shpenzimeve të mbrojtjes në vitet e ardhshme.
Tani për tani, qeveria daneze ka vendosur të ndajë shtatë miliardë korona (rreth 940 milionë euro) fonde shtesë për mbrojtjen në dy vitet e ardhshme.
Si rezultat i kthesës gjeopolitike të shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës, Danimarka gjithashtu synon “të bëhet e pavarur nga gazi rus sa më shpejt të jetë e mundur”, tha kryeministrja Frederiksen.
Referendumi i ardhshëm do të jetë votimi i nëntë në Danimarkë për çështjet evropiane që nga anëtarësimi i vendit në BE në 1972.
Në një referendum në dhjetor 2015, danezët refuzuan të forconin bashkëpunimin me Bashkimin Evropian në aspektin policor dhe të sigurisë, nga frika se do të humbnin sovranitetin e tyre përsa i përket imigracionit. /Paparaci.com
