Nuk mund të ketë përparim në bisedimet paqësore derisa Rusia nuk ndalon të qëllojë kundër civilëve që po përpiqen të arratisen përmes korridoreve humanitare, paralajmëroi kryenegociatori ukrainas në një intervistë ekskluzive për “Telegraph”. Sa i përket vdekjes së kolegut të tij, negociatorit ukrainas Denis Kireyev, Podolak theksoi se ai vdiq duke kryer detyrën në interes të shtetit ukrainas. Ai përgënjeshtroi pretendimet ruse se Kireyev u vra për tradhti.
Duke folur nga një bunker të krijuar në zyrë presidenciale në Kiev, Mikhail Podolak akuzoi Rusinë se po i manipulon negociatat dhe se nuk po e mban fjalën e dhënë.
“Ukraina ka nevojë për garanci të qarta për sigurinë e saj. Por tani shohim se pala ruse nuk po përmbush as marrëveshjet elementare për korridoret humanitare për daljen e civilëve nga qytetet e rrethuara. Civilët thjesht po shkatërrohen nga sulmet mizore ruse, ka thënë ai, transmeton Paparaci.
Podolak përsëriti thirrjet që NATO të vendosë zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë dhe tregoi përbuzje për idenë se kjo mund të çonte në një përshkallëzim që do të kthehej në Luftën e Tretë Botërore.
“A vërtet besoni se Rusia është e gatshme të kundërshtojë NATO-n?”, tha ai.

“Shikoni se çfarë po iu ndodh në Ukrainë. NATO është shumë më e fortë se forcat tona të armatosura. Megjithatë, Ukraina tashmë dy javë është duke e bllokuar ofensivën gjithëpërfshirëse të një prej ushtrive më të mëdha në botë. A mendoni vërtet se Rusia ka potencial për Luftën e Tretë Botërore? Ndaluni me këtë vetë hipnozë”, shtoi ai për “Telegraph”.
Një nga ndihmësit më të afërt të presidentit Volodymyr Zelenskyy, zoti Podolak, ka udhëhequr tri raunde të negociatave me rusët që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës. Por ai nuk ka shpresë për përparim, duke akuzuar Rusinë për kërkesa jorealiste.
“Sigurisht që ne duam paqe. Por kjo nuk do të thotë se ne do të pranojmë çmontimin e lirisë dhe demokracisë sonë, të aspiratave tona të natyrshme evropiane. Nëse pala ruse merr një qëndrim të bazuar në realitet dhe jo në ambicie jorealiste, atëherë përparimi është i mundur”, ka thënë ai.

Në dy javët e fundit, Podolak ka marrë pjesë në bisedime të drejtpërdrejta me orë të tëra me përfaqësuesit e presidentit rus Vladimir Putin për të siguruar armëpushim dhe korridore humanitare për të lejuar civilët të largohen nga qytetet e rrethuara.
Por ai shprehu zhgënjimin e thellë, duke akuzuar Rusinë për negociata me qëllime të këqija dhe se që shumë herë po kthehet në atë për çka tashmë janë pajtuar.
“Pala ruse manipulon raundet e negociatave”
“Deri më tani kemi parë se pala ruse nuk po i përmbush gjërat e premtuara”, tha ai.
“Trupat ruse po qëllojnë mbi njerëzit të cilët po përpiqen të largohen nga qytetet e pushtuara. Trupat ruse po bombardojnë rrugët përgjatë të cilave mund të organizohet largimi i njerëzve, veçanërisht në Mariupol dhe Volnovakha. Kështu që më duhet të them se pala ruse po manipulojnë këto negociata më shumë sesa që në të vërtet po investon në to”, ka shtuar Podolak.
Vladimir Medinski, negociatori kryesor rus, pretendon se “ka përparim” në negociata, por Podolak e mohon këtë.
Ai nuk ishte optimist as për përpjekjet për të ndërmjetësuar nga qeveritë e huaja si Izraeli, kryeministri i të cilit Naftali Bennett të shtunën e vizitoi Moskën.

“Të dielën në Irpen, një qytet në periferi të Kievit, trupat ruse hapën zjarr ndaj civilëve që përpiqeshin të largoheshin nga qyteti”, ka thënë Podolak.
“Gjithsej tetë persona u vranë, duke përfshirë një familje me dy fëmijë. Ata vdiqën nga një raketë mortajash. Në Kiev u rrëzua një raketë lundruese ruse mbi spitalin më të rëndësishëm të fëmijëve në Ukrainë”, ka shtuar ai, përcjellë Paparaci.
Ai ka theksuar se negociatat po vazhdojnë në nivele të ndryshme, se gjithashtu po shohim se pushtimet nuk po ndalen.
“Presidenti Zelenskyy disa herë ka ofruar takim dhe negociata të drejtpërdrejta me Vladimir Putinin. Deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje pozitive. Pse? A është e mundur që të ketë mungesë besimi në fuqinë negociuese të Putinit nga ana e palës ruse?”, ka thënë Podolak.
”Ne do të luftojmë kundër okupimit”
Sa i përket vdekjes së kolegut të tij, negociatorit ukrainas Denis Kireyev, Podolak ka bërë me dije se ai ka vdekur duke kryer detyrën në interes të shtetit ukrainas. Ai përgënjeshtroi pretendimet ruse se Kireyev u vra për tradhti.
Pavarësisht pesimizmit të dukshëm për negociatat, Podolak mbeti plotë shpresë dhe sfidues në aspektin e përpjekjeve luftarake të Ukrainës.
“Shumica e qyteteve tona të cilat Rusia kishte planifikuar të pushtonte po luftojnë heroikisht. Në qytetet që janë përkohësisht të okupuara po organizohen protesta masive kundër pushtuesve. Ky është një heroizëm i vërtetë qytetar: njerëzit po dalin të paarmatosur me një flamur kombëtar kundër pushtuesve të armatosur dhe kërkojnë që ata të largohen nga vendi ynë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se Ukraina nuk do të heqë dorë nga liria e saj dhe nuk do të heqë dorë nga demokracia e saj.
“Nëse Rusia thyen lirinë dhe demokracinë në Ukrainë, atëherë të jeni të sigurt se liria dhe demokracia do të thyhet në të gjithë Evropën Lindore. Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë tona. Dhe do të luftojmë kundër okupatorëve. Ne vetëm duam që vendet perëndimore të mos kenë frikë të luftojnë së bashku me ne. Të paktën na jepni ndihmën që ju kërkojmë”, ka përfunduar Podolak./Paparaci
