Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka bërë thirrje për përfundimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë.
Përmes llogarisë zyrtare të Ambasadës në Twitter, është përseritur ajo çka u tha mbrëmë nga Këshilltari i lartë për Çështje të Posaçme Politike të ShBA-së, Jeffrey DeLaurentis, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Ngjarjet e fundit përsëri demonstruan se UNMIK-u e ka përmbushur qëllimin e tij siç është përcaktuar në mandatin fillestar. Ne duhet ta pranojmë këtë realitet dhe të shkojmë drejt mbylljes së tij“, shkruhet në postimin e Ambasadës.
Lidhur me pozitën e UNMIK-ut në Kosovë, DeLaurentis shtoi se nuk është parë të kenë pasur ndonjë ndikim veprimet e organizatës.
“Ne vërejmë se UNMIK-u nuk ka luajtur rol kritik në zgjidhjen e tensioneve të fundit mes Kosovës e Serbisë rreth çështjes së targave. De-eskalimi i këtij problemi, me përkrahje të përkohshme të ofruar nga KFOR-i, tregon se organizatat tjera mund të shërbejnë në këtë rol me efekt më të mire”, shtoi ai.