Dardan Molliqaj gjatë protestës të së shtunës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike të organizuar nga partia e tij, PSD-ja, akuzohet se goditi me shuplakë një zyrtar policor. Që nga ajo ditë Policia e Kosovës ka iniciuar rast ndaj Molliqajt dhe madje këtë të fundit nuk e ka gjetur as në banesë e as në zyrë. Pretendimet e Policisë i ka mohuar vetë Molliqaj, ku dhe sfidoi këta të fundit duke u shfaqur në konferencën e thirrur nga PSD-ja pasditen e së hënës.
Suada Qorraj
Krahas Dardan Molliqajt, Policia e Kosovës ka iniciuar rast edhe ndaj një aktivistit të PSD-së, Adem Magjuani, të cilin sot prokuroria e dërgoi në mbajtje për 48 orë. Ky i fundit shkoi vet në stacionin policor pasi kishte marrë ftesë për intervistim.
Ndërkohë që për sulm ndaj zyrtarit policor, Dardan Molliqaj nuk u arrestua në protestën e së shtunës.
Policia e Kosovës po atë ditë ka hapur rast ndaj Dardan Molliqajt në drejtim të veprës penale “sulm”.
Kurse, një ditë pas protestës (të dielën) policia kishte tentuar që të kontaktoj me Molliqajn fillimisht përmes telefonit, mirëpo ky i fundit e kishte pasur telefonin e fikur.
Policia nuk e kishte gjetur kreun e PSD-së as në selinë e partisë dhe banesën e tij.
Molliqaj “zhduket”, policia nuk e gjen në banesë e as seli të partisë
Këto pretendime i mohoi dje gjatë konferencës Dardan Molliqaj, raporton Paparaci.
Molliqaj tha se nuk ka pranuar ftesë për paraqitje në Stacionin Policor, lidhur me inicimin e një rasti penal kundër tij për sulm ndaj oficerit policor.
“Mua nuk më ka ftuar askush. Unë kam qenë në banesën time. Nuk më ka thirrur askush. Policia i ka të dhënat edhe të banesës edhe të shtëpisë edhe të telefonit. Kjo është më shumë luftë politike”, tha ai.
Ai ka thënë se prapa aktit të tij ndaj zyrtarit policor, “ka një organizim politik kundër meje”.
Se hetimet ndaj Dardan Molliqajt kanë filluar e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj për Paparacin.
“Konfirmoj që Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj D.M. në drejtim të veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’”, deklaroi dje ajo për Paparacin.
Shuplaka e Dardan Molliqajt ndaj zyrtarit policor nuk ka aktivizuar vetëm policinë dhe prokurorinë. Sindikata e Policisë së Kosovës këtë të shtunë ka kërkuar që të merren masa ndaj kryetarit të PSD-së.
“Tash i pashë do video që me acaruan dhe ma prishen natën. Çka janë ato shuplaka Policisë se Kosovës, pse? Në çdo rast dhe gjithmonë, jam me Policinë e Kosovës, sidomos me atë radhën e parë të tyre. Policinë pa sigurime shëndetësore dhe me rroga qesharake.”, thuhet në reagimin e kryetarit të kësaj sindikate Ismet Zeqiri.
Ndryshe nga Molliqaj, aktivisti Adem Magjuani, mëngjesin e sotëm iu përgjigj ftesës së Policisë për intervistim dhe më pas u arrestua nga të njëjtit.
PSD-ja përmes një njoftimi në Facebook ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistit të tyre, teksa ka akuzuar Qeverinë Kurti se po bënë gjueti shtrigash.
“Partisë-shtet i ka penguar pjesëmarrja masive e njerëzve në protestë. Menjëherë nisën me gjueti shtrigash. Sot kanë vazhduar me arrestime. Propaganda policore që kishte për qëllim ta kriminalizoj një protestë paqësore, po përkthehet me përndjekje. Të lirohet menjëherë aktivisti Adem Megjuani!”, shkruhet ndër të tjera në postimin e tyre.
Paparaci ka kontaktuar Prokurorinë e Prishtinës për t’i pyetur se a është lëshuar ende urdhër arrest për Molliqajn dhe deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigjie./Paparaci.com
