Të fundit

Shteti në kërkim të tre biznesmenëve në arrati – nuk i dorëzohen drejtësisë

Tre afaristë nga Komuna e Ferizajt, kanë arritur t’i shmangen aksionit të fundit policor të zhvilluar të premten. Ata dyshohen për përfshirje në aferën “Brezovica”.  

Rreth 30 persona përbëjnë rrjetin e të arrestuarve mbi dyshimet për përfshirje në aferën “Brezovica”, e cila shpërfaqi krimin e madh kundër mjedisit dhe ambientit.

Afera e hetuar nga Prokuroria e Ferizajt implikon zyrtarë të lartë komunalë e qeveritar. Njerëz të botës së politikës e të biznesit.

Por, jo të gjithë keqbërësit e dyshuar për krimet e pretenduara nga Prokuroria në Brezovicë, janë dorëzuar para institucioneve të drejtësisë.

Tre afaristë nga Komuna e Ferizajt, kanë arritur t’i shmangen aksionit të fundit policor, të zhvilluar të premten. Fatmir Grainca, Hajrush Ajvazi dhe Bashkim Hamiti, biznesmenë nga Ferizaj – të dyshuar për përfshirje në ndërtimet e Brezovicës – ndodhen në arrati.

Shtëpitë e të tre afaristëve u bastisën mëngjesin e së premtes në kuadër të aksionit “Brezovica 3”, por asnjëri nga ta nuk u hasë në shtëpitë e tyre, raporton Paparaci, bazuar në burime brenda Prokurorisë.

Prej katër ditësh, Grainca, dhe dy bashkë-afaristët e tjerë Ajvazi e Hamiti, kanë refuzuar t’i dorëzohen shtetit.

Paparaci ka mësuar se Bashkim Hamiti, një biznesmen ndërtimi, ndodhet tash e disa kohë në Gjermani. Hamiti ka udhëtuar nga Kosova drejt perëndimit të Evropës disa ditë para se të realizohej aksioni policor i së premtes.

Një audio-incizim që pubikoi Paparaci të premten, zbuloi se si Hamiti kryente punë ndërtimi pa leje pëlqimi në Parkun Kombëtar të Sharrit.

Punimet i ekzekutonte në bashkëpunim me inspektorët e shtetit, e pranon Hamiti në audio-incizim. Audio-regjistrimi dëshmon pazaret e tij për ndërtime ilegale në Brezovicë.

“Me 1,000-1,500 euro ata [inspektorët,v.j] ndalen”, siguronte biznesmeni nga Ferizaj, bashkëfolësit e tjerë.

Por, në prangat e policisë ra të premten familjari dhe ortaku i tij biznesor, Florim Hamiti. Ata pretendohen të jenë dy prej ndërtuesve më të mëdhenj në zonën e Brezovicës.

Ndërkaq, Fatmir Grainca, udhëheq me HiT-Petroll SH.P.K., një kompani që operon në tregtinë e karburanteve, inxhinierisë e këshillimit teknik.

Grainca, dyshohet të jetë i përfshirë në ndërtimet e paligjshme brenda zonës së Parkut Kombëtar të Sharrit. Ai është një afarist që mban në pronësi edhe aksionet e kompanisë N.T.P. KONSUM-F.G., e cila operon në fushën e tregtisë së artikujve ushqimorë në Ferizaj, bazuar në të dhënat publike pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve.

Ndërkaq, Hajrush Ajvazi udhëheq me kompaninë private “Loni-1” Sh.P.K., një biznes afarist i cili operon, mes tjerash, edhe në fushën e blerjes dhe shitjes së patundshmërisë, raporton Paparaci.

Jo vetëm Grainca, Hamiti e Ajvazi ndodhen në arrati. Një tjetër biznesmen i fuqishëm nga Ferizaj po e sfidon njëjtë shtetin për të njëjtin rast.

Abedin Salihu, i dyshuar po ashtu për implikim në aferën e lejeve ndërtimore në Brezovicë, ndodhet në arrati prej organeve shtetërore që i janë vënë atij pas lidhur me aferën e ndërtimeve në resortin turistik.

Salihu është udhëheqës i disa bizneseve afariste, kryesisht në fushën e ndërtimit dhe minierave e mineraleve. Është pronar i njërit prej hoteleve më të famshme të Brezovicës, të emërtuar me emrin e njëjtë sikurse të resortit turistik. “Brezovica Hotel Spa”, është regjistruar si biznes i hotelerisë katër vite më parë.

Paparaci, raportoi ekskluzivisht edhe për prangosjen e dy njerëzve të lidhur me politikën, dhe ndjekjen e një funksionari të lartë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Ilir Morina, ish-kryeshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zijadin Geci, këshilltar i ish-ministrave të Mjedisit, Alblena Reshitaj dhe Fatmir Matoshi, janë prangosur të premten.Ata dyshohen për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar ‘Sharri’.

Ndërkaq, Berat Lahu, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ndodhet në kërkim policor, raporton Paparaci të premten e javës së kaluar. Shtëpia e asamblistit Lahu u bastis mëngjesin e së premtes, por ai nuk u gjend aty. Tanimë, ai ndodhet në kërkim policor.

Në një njoftim për media të shtunën, Prokuroria e Shtetit konfirmoi të ketë kryer bastisje në katër lokacione të ndryshme në Kosovë, përfshirë Komunën e Ferizajt.

“Janë bastisur pesë lokacione: një në Lipjan, një në Skenderaj e pesë të tjera në Prishtinë”, tha të premten, disa orë pas realizimit të aksionit, Rasim Maloku, Kryeprokuror i Prokurorisë në Ferizaj.

Gjykata Themelore në Ferizaj, caktoi të shtunën masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tetë të dyshuarve në rastin “Brezovica 3”.

Lidhur me këtë rast, organet e rendit dhe drejtësisë kryen bastisje në katër qytete të ndryshme, përkatësisht: Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.

Gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: Dokumente të ndryshme, disa fletore me shënime, tri armë, një karikator me 5 fishekë të kalibrit 7.65mm, tre fishekë të kalibrit 6.35mm, 20 fishekë të kalibrit 7.62mm, një kompjuter, një veturë X6, pesë telefona e një orë dore. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"Kom rrudha, s'kom hundë perfekte": Deputetja e PDK-së tregon a ka ndërhyrje estetike, flet edhe për debatet - "Meniher ta tregoj Arianën e egër"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci