Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Ambasadori Jeffrey Hovenier, është shprehur “thellësisht i shqetësuar” nga sulmet drejtuar zyrtarëve policorë, teksa ka dënuar aktin e dhunës.
“Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë dhe gurë të hedhur në drejtim të organeve kosovare të zbatimit të ligjit pranë Zubin Potokut”, tha Hovenier. “Këto sulme ndodhën teksa autoritetet përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare”, tha ai.
“Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të pajustifikueshme. Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës”, ka thënë Hovenier. “Tërheqim vërejtjen kundër spekulimeve që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”, ka shkruar Hovenier.
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se të premten, më 15 prill, është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.
“Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të marrë ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Ministri Sveçla ka thënë se “grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.
