Pas njoftimit të më hershëm për kërcënime me mjete shpërthyese në disa shkolla, Policia e Kosovës, ka kryer kontrollet e atyre lokacioneve dhe në të gjitha lokacionet e kontrolluara nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Sipas Policisë së Kosovës, njoftimet kanë rezultuar të rrejshme.
Megjithatë, të enjten, Policia në orët e hershme të mëngjesit nga personeli i disa shkollave ka pranuar informacione për kërcënime me mjete shpërthyese (bomba) në disa objekte shkollore, të ndodhura kryesisht në zona të banuara me popullatë serbe.
“Policia e Kosovës, po ashtu ka ndërmarr veprime konkrete duke evakuuar personat në perimetrat e sigurisë, përderisa do të vazhdojë angazhimin e saj në ruajtjen e rendit kushtetues, garantimin sigurisë në nivel vendi si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime”, thuhet në njoftimin e PK-së.
“Deri në këtë fazë Policia e Kosovës ka arritur ti trajtoj dhe verifikojë disa nga objektet shkollore, të cilat kanë rezultuar të jenë kërcënime të rrejshme, andaj ftojmë qytetarët që të mos krijojnë ndonjë panik, pasi Policia e Kosovës është prezente dhe e angazhuar në trajtimin, hetimin dhe ofrimin e sigurisë në të gjitha lokacionet në nivel vendi”.
