Inteligjenca amerikane ka lëshuar një alarm se Rusia po përgatitet të aneksojë pjesë të Ukrainës, në një skenar të ngjashëm me atë të Krimesë në vitin 2014. ,
Ka qenë zëdhënësi për shtyp Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA, John Kirby, ai i cili e ka bërë me dije këtë pretendim amerikan.
“Duam të flasim shkoqur me qytetarët tanë”, tha Kirby gjatë një konference për shtyp. “Moska nuk ia hedh dot njeriu. Po kërkohet aneksimi në një skenar thuajse të njëjtë me atë të vitit 2014 në Krime”.
Ndër të tjera, akuza u ngritën mbi faktin se Kremlini ka caktuar udhëheqës të ndryshëm në rajone të caktuara ukrainase, për të drejtuar qeverisjen vendore atje.
Disa zyra të posaçme të administrimit rajonal janë vendosur në qytetet e marra nga Rusia dhe mbi të gjitha në rajonin e Donbass-it.
Ky “ekspozim” i planeve të Rusisë ndërkohë, sipas Kirbyt, po bëhet pikërisht për faktin që një skenar i ngjashëm me atë të vitit 2014 të mos marrë dot jetë dhe të shmanget tërësisht. Kjo, pasi Amerika i quan pretendimet ruse rrënjësisht ilegjitime.
Khersoni, Zaporizhzhia, Donetsku dhe Luhansku, janë objektivat kryesore ruse. Duke qenë se këto rajone strategjike përbëjnë një pjesë të mirë të tregtisë apo energjetikës të rajonit, Rusia do ta ketë nën kontroll, përpos daljes në Detin e Zi dhe lidhjes natyrale me Krimenë që rajonet mbartin.
Nga Kremlini ndërkaq ende nuk ka pasur reagim mbi deklaratat e palës amerikane.
