Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, ia dorëzoi presidentit Volodymyr Zelenskyit propozimin për t’i prishur marrëdhëniet diplomatike me Iranin, për shkak se Rusia po furnizohet me droë luftarakë iranianë.
Siç raportoi BBC-ja të martën, Kuleba u shpreh se Teherani zyrtar mban përgjegjësinë e plotë për shkatërrimin e marrëdhënieve me Ukrainën.
“Duke marrë parasysh shkatërrimet e shumta të shkaktuara nga dronët iranianë në infrastrukturën civile të Ukrainës, vdekjet dhe vuajtjet e shkaktuara për popullin tonë, si dhe në lidhje me shfaqjen e raporteve për furnizimin e vazhdueshëm të armëve nga Irani në Rusi, unë paraqes për shqyrtimin e presidentit të Ukrainës për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin”, u shpreh Kuleba.
Ministri ukrainas theksoi se niveli i marrëdhënieve me Iranin tashmë ka rënë maksimalisht.
“Ky është tashmë një nivel përtej të cilit mund të arrihet vetëm ndërprerje e marrëdhënieve diplomatike”, tha ai në një konferencë për media.
Kuleba iu bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që t’i vendosin sanksione Iranit për ndihmën që ia po ia bën Rusisë “për të vrarë ukrainas”.
