Drejtori i lajmeve të mediumit serb “Nova S TV” Sllobodan Georgiev ka thënë për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe për barrikadat e vendosura nga serbët e Kosovës në rrugët kryesore në veri se Beogradi menaxhon veprimet e serbëve në Kosovë dhe se një mekanizëm i tillë është krijuar në 10 vjetët e fundit.
“Edhe një herë shohim njerëz nga sektori publik që janë në barrikada, e që është obligim i tyre i punës, prandaj fëmijët nuk shkojnë në shkollë”, ka thënë Georgiev.
Ai ka shtuar se nuk është i sigurt nëse barrikadat do të zgjasin sepse ato kanë nervozuar njerëzit nga perëndimi, dhe se Vuçiqi nuk e do largimin e tyre, në lojën e tij me kryeministrin e Kosovës Kurti, dëshiron t’i tregojë se ai nuk mund ta menaxhojë atë pjesë të Kosovës, ndërsa Kurti, nga ana tjetër, insiston të tregojë se mundet”.
“Që nga vera janë krijuar kriza për të përshpejtuar dialogun, edhe pse kjo tingëllon paradoksale”, ka thënë Georgiev, transmeton Paparaci.
Ai gjithashtu thotë se shpreson që askujt të mos shkojë ndërmend të dëbojë njerëzit.
“Krizën e madhe e krijoi situata kur njerëzit janë detyruar të dalin nga institucionet, kur i braktisni ato, hyn dikush tjetër. Serbia i detyroi serbët nga Kosova të hyjnë në institucionet e Kosovës, ata nuk kanë qenë në to deri në vitin 2013. Në vitin 2014, derisa Olliver Ivanoviqi i përfaqësonte serbët nga Kosova, ata nuk kanë qenë në institucione”, përkujton Georgiev, duke aluduar për braktisjen e institucioneve të Kosovës muajin e kaluar nga kryetarët e komunave serbe në veri, gjyqtarë vendorë dhe rreth 600 policë.
I pyetur se si mund të hiqen barrikadat, ai thotë se Beogradi do t’u thotë serbëve të Kosovës që t’i heqin ato.
Për propozimin e ri gjermano-francez për Kosovën, i cili spekulohet se i ka injoruar “vijat e kuqe serbe” siç është pavarësia e Kosovës dhe hyrja e saj në OKB, Georgiev thotë se është e vështirë të flitet për një dokument derisa nuk prezantohet.
Sa i përket anëtarësimit të Kosovë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ai ka thënë se “Serbia nuk vendos për pranimin e Kosovës në OKB, kështu që nuk e di pse Serbia duhet të merret me të. Pyetja është se cili është interesi i njerëzve që jetojnë atje, sepse gjithmonë na thuhet se cili është interesi i shtetit”, përfundon Georgiev./Paparaci
