Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) po shqyrton ndryshime serioze në sistemin e kualifikimeve për Botërorin 2026, i cili do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada, shkruan gazeta spanjolle Diario As.
Për herë të parë në histori, në këtë Botëror do të marrin pjesë 48 kombëtare, që do të thotë se 16 kombëtare do të vijnë nga Europa krahasuar me 13 kombëtare sa kualifikoheshin më parë.
Deri më tani kualifikimet janë luajtur në 10 grupe me nga pesë ose gjashtë kombëtare dhe fituesit e grupeve shkonin direkt në Kupën e Botës, ndërsa 10 vendet e dyta dhe dy ekipe të tjera nga Liga e Kombeve luanin në play-off për t’u kualifikuar vetëm tri ekipe.
Megjithatë, UEFA ka një ide të re sipas së cilës kualifikimet do të luheshin në 12 grupe me nga katër ose pesë kombëtare dhe vetëm fituesit e grupeve do të shkonin direkt në Botëror me katër kombëtaret më të mira të vendit të dytë.
Në atë rast nuk do të kishte playoff, kualifikimet do të zgjasin shumë më pak dhe e gjithë kjo do të mundësonte një numër më të madh të ndeshjeve në Ligën e Kombeve, që është ideja kryesore e UEFA-s.
Ky ndryshim do të rriste ndjeshëm interesin e kualifikimeve, sepse do të ishte dukshëm më e vështirë për kombëtaret më të forta të shkonin në Botëror dhe kështu shanset do t’u jepeshin edhe ekipeve të nivelit të dytë apo të tretë, si Kosova apo Shqipëria.
Përzgjedhja jonë aktualisht është në pritje të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, në të cilin skuadra do të drejtohet nga trajneri francez, Alain Giresse.
