Punëdhënësit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijuan pothuajse dy herë më shumë vende pune në janar se në dhjetor, duke tejkaluar mesataren e vitit 2022, njoftoi të premten Ministria e Punës.
Në muajin janar, në SHBA, u hapën 517 mijë vende pune, sipas të dhënave të Ministrisë, pasi në dhjetor u krijuan 260 mijë, 37 mijë më shumë se vlerësimet e para.
Vlerësimi për nëntorin gjithashtu u rrit, i cili tani tregon 290 mijë vende të reja.
Të dhënat për muajin janar janë më të larta se mesatarja mujore e vitit 2022, e cila arriti në 401 mijë vende të reja pune.
Sektori privat punësoi 443 mijë punëtorë të rinj në janar, ndërsa shteti 74 mijë, ku Ministria thekson se shifra pasqyron përfundimin e grevës.
Në janar, kompanitë kanë punësuar më së shumti në sektorët e hotelierisë dhe aktiviteteve të kohës së lirë, të biznesit dhe të shërbimeve të kujdesit shëndetësor.
Norma e papunësisë ishte 0.1 pikë përqindje më e ulët në janar dhe arriti në 3.4 për qind, me 5.7 milionë amerikanë të papunë.
Numri i qytetarëve të aftë për punë është rritur me 871 mijë, numri i të punësuarve me 810 mijë dhe të papunëve me 60 mijë.
