Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, është përplasur sot me bashkëpartiaken e tij, Fitore Pacolli, gjatë mbledhjes së këtij komisioni, ku po raportonte Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
E gjithë kjo ngjarje filloi kur deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, kërkonte nga ministrja Gëvalla që t’i përgjigjej pyetjeve që ai ia kishte parashtruar.
Por, një gjë e tillë nuk i pëlqeu Pacollit e cila ia tërhoqi vërejtjen Halitit, duke i thënë se në komision duhet të diskutojnë për çështje profesionale.
“Ne detyrohemi me e lëshu sallën dhe me e lanë pa kuorum. Kështu që të lutem, e tërheq vërejtjen sepse janë çështje profesionale që ne duhet t’i adresojmë këtu. Është politika e jashtme, është puna e ministres që po raporton e jo çështje personale të juaja”, ka thënë Pacolli.
E pas kësaj deklarate të Pacollit, ka reaguar deputeti i VV-së, Haki Abazi. Ai i tha Pacollit se është e drejtë e deputetëve që të parashtrojnë pyetjet që duan pavarësisht përgjigjeve të ministres.
Ky reagim i Abazit erdhi pas tërheqjes së vërejtjes së Pacollit ndaj deputetit Haliti.
“Veç pak, veç pak. Ne edhe në të kaluarën kemi pasur tentime për ballafaqim, por është e drejta e secilit këtu me shpreh opinionin e vet. Mendoj që demokraci parlamentare. Z.Haliti i ka mendimet e veta. Është deputet i Parlamentit. Mundemi me gjetë rastin dhe me ju përgjigj për ato që janë për t’u përgjigjur këtu, edhe në seancë të mbyllur. Është në diskrecionin e një deputeti të ketë shtruar çështja që mund të jenë çështje e brengosjes së tij apo të saj, ose edhe të anëtarësisë. Kështu që kërkojë mirëkuptim për punën e adresimit prej zonjës Pacolli, znj. Time Kadrijaj që e kërkoi fjalën”, ka thënë Abazi.
Kohëve të fundit është përfolur për një ftohje të raporteve të deputetit Abazi me qendrën e VV-së.Madje ai, para një jave ka munguar në seancat e Kuvendit të Kosocvës.
Abazi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ka shumë faktorë që e kanë shtyrë të mungojë në seancë.
“Është hera e parë që sot nuk kam marrë pjesë në seancën e Kuvendit që nga zgjedhja ime deputet në këtë përbërje. Ka një sërë faktorë që më ka shtyrë të bëjë këtë veprim dhe në këtë kohë”, ka shkruar ai.
Më tutje, Abazi ka deklaruar se të gjitha ankesat e tij i ka transmetuar te lidershipi dhe pret të njëjtat të adresohen me “kujdes dhe kohë”.
