Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, sot ka zhvilluar një vizitë tek Devolli Corporation, ku bashkë me delegacionin e tij është pritur nga pronari i korporatës, Shkëlqim Devolli me drejtuesit e tjerë të kompanisë.
Fillimisht, ata zhvilluan një takim me dyer të mbyllura, ku përveç diskutimeve për korporatën, janë dhënë edhe detaje për historikun e saj. Po ashtu u vizealizua edhe evoluimi dhe rritja e kompanisë Devolli nga themelimi e deri më sot.
Abazoviqi, pas takimit me dyer të mbyllura, bëri një turne nëpër fabrikën e Prince Caffe, nga ku është shprehur i fascinuar me gjithë punën që ka bërë ky gjigant i prodhimit në Kosovë.
Ndonëse Devolli Corporation sot ka tejkaluar jo vetëm kufijtë e Kosovës, por edhe të Evropës për eksport të prodhimeve të shumta, pronarët ruajnë me xhelozi hapësirën ku në vitin 1989 Ibrahim Devolli, babai i Shkëlqimit filloi rrugëtimin e kompanive të familjes Devolli.
Këtë pjesë e pa nga afër edhe kreu i ekzekutivit të Malit të Zi, e cila i la shumë përshtypje.
Gjatë turneut nëpër gjigantin e Prince Caffe, Abazoviq u njoftua me sukseset e saj, derisa u shpreh i hapur për bashkëpunim ekonomik të Malit të Zi me Devolli Corporation.
Pas kësaj vizite, pronari i Devolli Corporation, Shkëlqim Devolli, ka shtruar iftar për kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe delegacionin që e shoqëronte atë.
Ndryshe, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, qëndroi për vizitë treditore në Kosovë, gjatë së cilës takoi krerët politikë të vendit, kryetarë komunash, klerikë fetarë e bëri vizita në disa qytete.
Ndalesa e fundit e Abazoviqit në Kosovë, ishte pikërisht në Devolli Corporation, ndërkaq paraprakisht në këtë komunë vizitoi kreun e saj, Gazmend Muhaxheri e edhe Patrikanën e Pejës.
Kujtojmë se Devolli Corporation është kompani lidere në fushën e biznesit, produktet e së cilës eksportohen në tregun evropian dhe atë amerikan.
