Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur e tmerruar dhe e indinjuar nga vrasja e një gruaje nga bashkëshorti i saj në Gushtericë të Poshtme të Graçanicës.
Në një postim në Facebook, Osmani ka thënë se mizori të tilla që po vazhdojnë të atakojnë shoqërinë nuk duhet të tolerohen.
“Ky akt mizor nuk është një incident i izoluar, por një veprim shqetësues i dhunës ndaj grave që kërkon veprim të menjëhershëm dhe vendimtar”, ka shkruar Osmani.
“Institucionet e drejtësisë duhet të sigurohen që nëpërmjet zbatimit të saktë të ligjeve dhe udhëzuesve të denimeve t`i japin fund femicidit. Fatkeqësisht, shohim tepër shpesh raste kur dhunuesit lirohen me denime shumë më të ulëta sesa ato që parashihen me ligj”, ka shkruar presidentja.
“I shpreh ngushëllime të thella familjes së viktimës dhe jemi përkrah të gjithë atyre që kanë humbur familjaret e tyre për shkak të femicidit. Të gjithë duhet të jemi një, derisa asnjë grua të mos ketë frikë për jetën e saj”, ka shkruar ajo.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për të pandehurin D.ZH dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për vrasjen e bashkëshortes në Graçanicë.
Gjykata ka sqaruar se më 31 korrik rreth orës 21:15min, në fshatin Gushtericë e Poshtme, Komuna e Graçanicës, përkatësisht në shtëpinë e tij, me dashje e privon nga jeta anëtarin e familjes bashkëshorten e tij, përkatësisht tani të ndjerën M.ZH, në atë mënyrë që meqenëse i pandehuri D.ZH, pasi kishte përfunduar punën ishte ndaluar në një kafene në fshatin Prelluzhë duke konsumuar alkool, me tu kthyer në shtëpi, e kishte kapur tani të ndjerën për koke duke e përplasur në shkallët e betonit dhe duke i shkaktuar lëndime trupore si dhe humbje të vetëdijes, e njëjta dërgohet në QKUK dhe hospitalizohet deri me datë 02.08.2024, ku rreth orës 03:40 të mengjesit, ndërron jetë.
