Krijimi i Panamasë është i lidhur drejtpërdrejt me kanalin e tij të famshëm. Për një kohë të gjatë, Shtetet e Bashkuara e kishin atë nën kontroll. Trump e quan “gabim serioz” vendimin e Jimmy Carter për heqje dorë nga kanali – dhe nuk e përjashton veprimin ushtarak.
Kanali i Panamasë konsiderohet linja e shpëtimit e tregtisë botërore dhe çudia e tetë e botës. Goethe dikur ëndërronte për një kanal përmes istmusit të Amerikës Qendrore, por poeti gjerman nuk jetoi për ta parë ndërtimin e tij.
Anijeve nga ShBA-ja perëndimore dikur iu desh të bënin devijimin e gjatë dhe të kushtueshëm rreth Kepit Horn të Amerikës së Jugut për të shkuar në Nju Jork ose Evropë, por për gati 111 vjet ato kanë pasur në dispozicion një rrugë të shkurtër.
Por tani kjo rrugë e shkurtër është shumë e shtrenjtë, ankohet Donald Trump, i cili do të betohet si President i Shteteve të Bashkuara më 20 janar – dhe madje nuk e ka përjashtuar dislokimin e trupave ushtarake.
Trump bëri kërcënimin e tij të parë pak para Krishtlindjeve, kur u ankua për tarifat e larta të tranzitit dhe paralajmëroi se Kanali i Panamasë mund të binte në “duar të gabuara”.
Trump kritikoi gjithashtu Jimmy Carter, i cili vdiq pak para fillimit të këtij viti dhe i cili, si president amerikan, kishte negociuar traktate gati gjysmë shekulli më parë që i kishin dhënë Panamasë kontrollin e kanalit në fund të vitit 1999.
Ky ishte një “gabim i rëndë”, tha Trump në platformën e tij “Truth Social”.
Nga kanali përfitoi fuqia e re botërore e atëhershme
Duke vepruar kështu, Trump po nxit një konflikt të moçëm që tashmë veç ishte zgjidhur. Kanali veç ka qenë një burim problemesh midis dy vendeve në shekullin e 20-të.
Panamaja nuk do të ekzistonte pa SHBA-në. Pasi Franca, nën udhëheqjen e “Francezit të madh” Ferdinand de Lesseps, i cili kishte udhëhequr projektin e ndërtimittë Kanalit të Suezit, kishte dështuar në ndërtimin e Kanalit të Panamasë, Shtetet e Bashkuara kishin garantuar qëndrueshmërinë financiare. Si rezultat, Panamaja shpalli pavarësinë e saj nga Kolumbia me ndihmën e ndërhyrjes së Uashingtonit. Më pas, SHBA-të u lejuan të ndërtonin Kanalin e Panamasë, të cilin e përfunduan në vitin 1914 dhe e kontrolluan atë për dekada.
Kjo e bëri më të lehtë për Shtetet e Bashkuara të bëhen një fuqi botërore. Ishte gjithashtu një pikë e rëndësishme gjeostrategjike gjatë Luftës së Dytë Botërore për të lëvizur anijet midis Paqësorit dhe Atlantikut. Thuhet se 65,000 ushtarë amerikanë ishin vendosur në Panama gjatë kësaj kohe, gjithashtu për të mbrojtur kanalin, të cilin Gjermania naziste thuhet se e mendonte ta shkatërronte.
SHBA e kishte blerë veten në një botë paralele
Nuk është çudi, pra, që Shtetet e Bashkuara e patën të vështirë të kundërshtonin pakënaqësinë në rritje të Panamasë. Pasi Egjipti shtetëzoi Kanalin e Suezit në vitin 1956, gjithnjë e më shumë panamezë donin që kanali në zemër të vendit të tyre, t’i takonte po atyre. Megjithëse u kishte sjellë atyre pavarësinë, ata kishin pak ose aspak përfitim financiar nga trafiku i transportit detar.
Fotografia tregon punën e ndërtimit të Kanalit të Panamasë në maj 1913.
Përveç kësaj, ekzistonte “bota paralele” që shumë njerëz e shihnin me sy kritik dhe që Shtetet e Bashkuara e kishin blerë për vete se ta ndërtonin kanalin, Zonën e Kanalit të Panamasë, e cila ishte rreth 1,400 kilometra katrorë në madhësi. Zona shtrihej rreth pesë milje në të dyja anët e kanalit, kishte kazino, shkolla të mesme, fusha golfi, restorante dhe përndryshe jeta për amerikanët atje ishte më e mirë se ajo e vendasve jashtë kësaj zone, e cila konsiderohej efektivisht si pjesë e Shteteve të Bashkuara. Një kandidat i ardhshëm presidencial madje lindi atje në vitin 1936: John McCain, i cili u mund nga Barack Obama në vitin 2008.
Në vitin 1976, Kanali i Panamasë do të luante gjithashtu një rol kyç në fushatën zgjedhore amerikane. Ronald Reagan, i cili u përpoq më kot të bëhej kandidati republikan atë vit, kishte një mendim sikurse shumica për kanalin në SHBA: “Ne e blemë atë, e paguam, ai na përket neve”.
Por zgjedhjet presidenciale u fituan nga demokrati Jimmy Carter, i cili bëri fushatë për pajtimin me Panamanë dhe përfundimisht, për këtë çështje, i bindi republikanët me ndikim si Henry Kissinger. Në vitin 1977, Carter negocioi dy traktate me diktatorin e atëhershëm të Panamasë, Omar Torrijos Herrera. Në njërën prej traktateve, Shtetet e Bashkuara u angazhuan për t’i dhënë Panamasë kontrollin e kanalit në fillim të mijëvjeçarit, pra në vitet 2000. Në anën tjetër, SHBA-të u siguruan se do të lejoheshin të ndërhynin nëse shkelej neutraliteti i kanalit.
Panamaja hedh poshtë akuzat e Trump
Trump tash konsideron se kjo pikë është shkelur me pretendimin se Kina e kontrollon Kanalin e Panamasë. Ky do të ishte vërtet një lajm i keq për sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Por Trump nuk jep asnjë provë. “Akuzat se Kina kontrollon kanalin janë të pabaza,” tha kreu i Autoritetit të Kanalit të Panamasë, Ricaurte Vásquez Morales, për “Wall Street Journal”. Dhe ai siguroi: “Kina nuk ka asnjë ndikim në operacionet tona.”
Megjithatë, ka dy porte në të dy skajet e Kanalit të Panamasë që kanë qenë në duart e një filiali të operatorit të portit të Hong Kongut CK Hutchison për dekada. Për shkak të ndikimit në rritje të Kinës mbi Hong Kongun vitet e fundit, nuk janë vetëm republikanët ata që po pyesin se çfarë do të thotë kjo për Kanalin e Panamasë në të ardhmen. Panamaja gjithashtu ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Tajvanin në vitin 2017 dhe iu bashkua rrugës diplomatike të Kinës.
Megjithatë, kohët e fundit Panamaja ka vazhduar të kërkojë afërsi me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, qeveria panameze refuzon rreptësisht uljen e çmimit për anijet amerikane. Ashtu si Trump, edhe Panamaja gjithashtu i referohet traktatit të neutralitetit: Askujt nuk duhet t’i jepet trajtim preferencial ose disavantazh kur kalon përmes kanalit.
