Reagimi i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë për raportin e ri të indeksit të lirisë së medias i ka penguar Fitim Pacolli, vëllait të deputetes Fitore Pacolli.
Pacolli i ka quajtur “kllounë të mjerë” zyrtarët e ambasadës së Gjermanisë, meqë sipas tij në Gjermani arrestohen njerëzit edhe për postime në ‘Facebook’.
“Marrëzi e shtrembëruar, kjo renditje nuk do të thotë asgjë. Është një paradë kllounësh. Gjermania e ka shkatërruar vendin e vet, ju po vini në zbatim kamera regjistrimi fytyrash në stilin kinez, po arrestoni qytetarë për postime të ashtuquajtura “raciste” në Facebook dhe doni të na thoni se liria e shtypit ka rënë në Kosovë. Kllounë të mjerë”, ishte komenti i Pacollit.
Por, kjo nuk është hera e parë që vëllai i deputetes Pacolli del kundër gazetarëve e mediave.
Fitim Pacolli njihej si administrator i grupit famëkeq “Me kryeministrin” i cili ishte krijuar me qëllim të propagandës para zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021.
Në grupin famoz i cili funksiononte në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje, ishin sulmuar e linçuar gazetarët e politikanët kosovarë.
Pjesë e këtij grupi ishin pothuajse të gjithë eksponentët e Lëvizjes Vetëvendosje, teksa në total numri i anëtarëve arrinte më shumë se 350 mijë profile. Në mesin e tyre edhe profile të rreme.
Postimet në këtë grup kishin të bënin kryesisht me kundërshtarët politikë të Kurit, por në këtë grup nuk ishin “kursyer” as gazetarët kritikues ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Për shkak të fyerjeve e linçimeve ndaj gazetarëve në këtë grup kishte reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve e po ashtu edhe Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Pas shumë kritikave grupi ishte mbyllur, ndërkaq LVV-ja kishte tentuar të krijojë grupe tjera, por që ndikimi nuk ishte i njëjtë.
Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
