Edon Zhegrova pritet të largohet nga Lille, pasi presidenti i klubit Olivier Letang zbuloi se klubi nuk ka ndërmend ta mbajë atë përtej kësaj vere.
Anësori, i cili iu bashkua Lille nga Baseli në vitin 2022, po hyn në vitin e fundit të kontratës së tij dhe ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për t’u larguar për një klub më të madh.
Gjatë një konference për shtyp, Letang sqaroi qëndrimin e Lille ndaj yllit të Kosovës
“Edoni ka shprehur dëshirën e tij për t’u larguar. Nuk më duket e përshtatshme ta mbaj në ekip me vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij, duke pasur parasysh situatën ekonomike të futbollit francez. [Largimi i tij është diçka] që po e presim”, ka thënë ai.
Duke pasur parasysh këtë, presidenti i klubit shtoi se, pavarësisht afrimit të Marius Broholm, Lille do të kërkojë një tjetër sulmues krahu për të pasur katër lojtarë në dispozicion në krahë.
Emri i Zhegrovës ishte përfolur për një transferim të mundshëm te Napoli, por akoma nuk ka diçka konkrete.
