Menaxhmenti i Policisë së Kosovës nuk e ka konfirmuar ende zyrtarisht lirimin nga detyra të Argjend Gashit.
Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan tha se të mërkurën ka ofruar dorëheqje nga detyra.
Dorëheqja, bëri të ditur ai, ndërlidhet me motive morale pas rastit të vrasjes së dyshuar të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan të hënën.
“Ende nuk jam shkarku, kam dhënë dorëheqje. Po kam bërë kërkesë për dorëheqje, vendimi i ri ende nuk mu ka lëshu, por kam dhënë dorëheqje. Për shkak të zhvillimeve të fundit e kam ofruar dorëheqjen. Realisht zyrtare nuk ka, unë jam ende në pozitën që kam qenë mirëpo kam dhënë dorëheqje morale për shkak të zhvillimeve të fundit dhe pres vendimin e ri”, tha Gashi për portalin Kallxo.com.
Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka kërkuar Gjykatës që të caktojë paraburgim prej një muaji ndaj pesë zyrtarëve. Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë të mërkurën.
Agon Zejnullahu, 27-vjeçar nga Lipjani, dyshohet se u vra nga pesë zyrtarë policorë në orët e para të së hënës në Lipjan.
