Hyrja e Xhandarmërisë së Serbisë brenda territorit të Kosovës, ku sipas raportimeve një person është plagosur dhe rrëmbyer, ka ngritur seriozisht shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin në veri të vendit.
Ky incident, që dyshohet se ka ndodhur në afërsi të vijës kufitare, është cilësuar si një provokim i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të Kosovës dhe si përpjekje e Serbisë për ta tensionuar situatën në terren.
Për rastin kanë reaguar Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, KFOR, Policia e Kosovës si dhe organe tjera kompetente.
Presidentja Vjosa Osmani, e quajti këtë dëshmi shtesë të qasjes hegjemoniste të Serbisë, ku çdo qytetar që flet për regjimin autokratik të Vuçiqit, sulmohet e torturohet.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e quajti shkelje të rëndë të kufijve shtetërorë dhe vazhdë të politikave për frikësim dhe përndjekje ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të Vuçiqit.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetimet zyrtare, në koordinim me Prokurorinë Themelore të Mitrovicës – Departamentin për Krime të Rënda, si dhe me institucionet e tjera relevante të sigurisë.
Misioni i NATO-s në Kosovës, KFOR-i ka bërë të ditur se është në dijeni për rastin, ndërsa ka theksuar se situata e sigurisë përgjatë vijës kufitare administrative mbetet e qetë.
Ndërkaq, ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës, Radoica Radomiroviq, ka pretenduar se ka qenë dëshmitar në rastin e rrëmbimit të serbit Milan Vukashinoviq në Leposaviq nga xhandarmëria serbe, që sipas Policisë së Kosovës ndodhi më 1 nëntor.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha e ka cilësuar këtë veprim si “alarmant” për sigurinë kombëtare dhe për praninë ndërkombëtare në Kosovë.
Ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani e ka cilësuar këtë veprim si një sinjal të qartë të politikës destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, e ka cilësuar këtë ngjarje si një zhvillim tejet shqetësues, që sipas tij, tregon për dobësitë serioze në sistemin e sigurisë dhe mungesën e bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
Kajtazi ka kritikuar ashpër reagimet institucionale, veçanërisht deklaratat e presidentes Vjosa Osmani dhe ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke thënë se ato nuk kanë pasur efekt praktik në arenën ndërkombëtare.
“Janë dëshpëruese deklaratat e Vjosa Osmanit dhe Xhelal Sveçlës drejtuar faktorit ndërkombëtar, kur nga këta të fundit askush nuk jua hapë telefonin”, ka theksuar ai.
Sipas tij, situata aktuale duhet të shërbejë si alarm për udhëheqësit e institucioneve të Kosovës që të reflektojnë dhe të riparojnë marrëdhëniet me aleatët strategjikë.
“Ky aksion duhet t’i shqetësojë edhe Vjosen edhe Xhelalin (e të tjerët), ngaqë mundësitë operative të shërbimeve inteligjente serbe janë të tilla që edhe atyre mund t’u trokasin në derë. Prandaj, është momenti i fundit të riparohet çdo gjë që është shkatërruar këto katër vite në raport me SHBA dhe BE”, ka deklaruar Kajtazi.
Ai potencoi se mungesa e reagimit nga faktorët ndërkombëtarë e bën situatën edhe më serioze.
“Sa e ndërlikuar është situata, mund ta kuptojmë nga fakti se në një akt kaq serioz nuk kemi reagim nga asnjë faktor relevant ndërkombëtar”, ka përfunduar ai.
