Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është identifikuar nga policia pas incidentit të ndodhur gjatë ndeshjes së Superligës së Kosovës ndërmjet KB Vëllaznimit dhe KB Bashkimit, e zhvilluar në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka njoftuar të enjten se Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e dy personave për tentim sulmi, ndërsa ndaj personit që ka hedhur shishen me ujë në drejtim të ndihmëstrajnerit të KB Bashkimit, Bledar Gjeqaj, priten veprime të mëtejshme ligjore. Shishja e hedhur goditi Gjeqajn në fytyrë, duke e rrëzuar atë në parket.
Incidenti ndodhi gjatë çerekut të dytë, kur nga tribuna u dëgjuan ofendime në kor ndaj skuadrës mysafire.
Publikut iu dha vërejtje zyrtare, por situata u tensionua kur një grup tifozësh të skuadrës vendase tentoi të sulmonte persona të pranishëm në tribunën e mysafirëve, duke krijuar rrezik serioz për përshkallëzim të situatës.
“Falë ndërhyrjes së Policisë së Kosovës, është parandaluar një incident edhe më i rëndë”, ka deklaruar FBK.
