Katër ushtarë rusë kanë vënë në dritë tmerret dhe brutalitetin e ushtrisë ruse në frontin e luftës në Ukrainë.
Dy prej tyre kanë rrëfyer për BBC-në se si kanë parë ushtarët duke u ekzekutuar pasi refuzuan urdhrat.
Në një rrëfim për dokumentarin e realizuar nga BBC-ja, një ushtar rus thotë se ka parë një bashkëluftëtar duke u ekzekutuar me urdhrin e komandantit të tij, i cili u shpall “Hero i Rusisë” në vitin 2024.
“E pash – isha larg dy-tre metra… pastaj… klik, klik dhe bam”, thotë ushtari.
Ushtari tjetër, nga një njësi tjetër, thotë se ka parë komandantin duke vrarë katër burra.
“I njihja”, thotë ai për ushtarët e ekzekutuar. “Më kujtohet që njëri prej tyre bërtiste: ‘Mos qëllo, do të bëjë çka do që thua’!”.
Njëri prej tyre thotë të ketë parë rreth 20 trupa të bashkëluftëtarëve të shtrirë në radhë pasi ishin bërë “zero” nga komandantët”. Termi “zero” përdoret nga ushtria ruse për ekzekutimin e ushtarëve të vet.
Në dokumentarin “The Zero Line: Inside Russia’s War”, ushtarët në detaje rrëfejnë se si janë torturuar pasi kanë refuzuar të marrin pjesë në sulme që ishin vetëvrasëse. Ushtarët rusë këto sulme i cilësojnë si “stuhi mishi” kur nisin valë ushtarësh drejt frontit të luftës dhe tentojnë të shkatërrojnë forcat ukrainase.
Për herë të parë, beson BBC-ja, ushtarët rusë nga fronti i luftës rrëfejnë se si kanë parë komandantët duke urdhëruar ekzekutimet e burrave të tyre.
Njëri prej tyre, që e kishte për detyrë të identifikonte dhe të numëronte ushtarët e vdekur, ka ofruar detaje të listës se është i mbijetuari i vetëm i grupit prej 79 burrave që kishin shkuar në ushtri bashkë me të.
Për shkak se kishte refuzuar të shkonte në frontin e luftës, ishte torturuar dhe shurruar nga të tjerët.
Ai ka thënë se ushtarët e tjerë si dënim ishin dërguar në front të paarmatosur.
