Petrit Vasili ka reaguar lidhur me projektin turistik në Zvërnec, duke pretenduar se ai është planifikuar prej vitesh dhe se nuk lidhet fillimisht me investitorët amerikanë, siç është prezantuar nga qeveria shqiptare.
Përmes një postimi në Facebook, Vasili ka deklaruar se projekti për Zvërnecin figuron si i komisionuar nga Kastrati Group që në vitin 2022, duke iu referuar të dhënave të publikuara në librin “The Albanian Files: Freedom and Architecture”. Sipas tij, dokumenti tregon se “Zvërnec Master Plan” ishte në fazën e konceptimit dhe ishte porositur nga Kastrati Group.
Vasili ka akuzuar kryeministrin shqiptar Edi Rama për mungesë transparence, duke pyetur publikisht pse nuk është bërë e ditur lidhja e projektit me Kastrati Group dhe pse, sipas tij, është folur për një investim amerikan prej 4 miliardë dollarësh.
Debati për projektin e Zvërnecit është intensifikuar javët e fundit, pasi zona është lidhur edhe me planet e investimit të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në bregdetin shqiptar. Raportime të ndryshme ndërkombëtare kanë përmendur gjithashtu emrin e Kastrati Group në diskutimet rreth projektit, megjithëse struktura e pronësisë dhe rolet e palëve të përfshira kanë qenë objekt debatesh dhe polemikash.
Në reagimin e tij, Vasili kërkon sqarime nga qeveria për origjinën e projektit dhe për informacionet e prezantuara deri më tani para publikut.

