Derisa disa zyrtarë të ZRrE-së tashmë kanë dalë në pauzë, në këto momente, aktivisti i PSD-së, Nol Nushi ka mbyllur nën dry dy zyrat e ZRrE-së, duke i marrë pastaj çelësat e këtyre zyrave.
Kryetari i PSD-së me disa aktivistë po vazhdojnë të qëndrojnë në hapësirat e ZRrE-së, e siç kanë deklaruar vet, deri në publikimin e vendimit.

Pas ndaljes së disa siguresave nga protestuesit, serverët e kësaj Zyre janë jofunksionalë.
Aktivistët e PSD-së ia ndalin rrymën ZRrE-së

Aktivistët e Partisë Socialdemokrate i kanë fikur siguresat e energjisë elektrike në selinë e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Dardan Molliqaj, kreu i PSD-së, është akuzuar nga një zyrtar i ZRrE-së për ndaljen e siguresave të energjisë elektrike.
“Je duke i dëmtu serverat, Dardan. Ato pajisje kushtojnë 20 mijë euro”, i ka thënë një zyrtar i ZRrE-së, Molliqajt.
Një fotografi e publikuar në media, zbulon ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqin, duke fikur siguresat e energjisë.
“Selman Hoti i ZRrE-së bashkëpunon me KEDS-in”
Dardan Molliqaj e ka denoncuar publikisht Selman Hotin, anëtarin e Bordit të ZRrE-së për bashkëpunim me KEDS-in.
Molliqaj, para zyrës në të cilën ndodhej Hoti dhe anëtarët e tjerë të Bordit të ZRrE-së, ka thënë se Hoti ka kompani private përmes së cilës bashkëpunon në sektorin privat me KEDS-in.
“Më shumë sesa anëtarë të Bordit që i ka zgjedhur kuvendi, po del që këta anëtarë i ka zgjedhur KEDS-i. Paramendo kënd e kemi anëtarë të Bordit. Selman Hoti, anëtari i Bordit, ka kompani përmes së cilës i kryen shërbime KEDS-it”, tha Molliqaj.
Policia shkon në zyrat e ZRrE-së
Policia e Kosovës ka shkuar në selinë e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, brenda së cilës ndodhen aktivistët e Partisë Socialdemokrate.
Zyrtarët policorë kanë hyrë në takim me anëtarët e Bordit të ZRrE-së.
Takimin mes zyrtarëve policorë dhe anëtarëve të ZRrE-së e ka kundërshtuar Molliqaj. Diskutimet mes tyre i ka quajtur “politike”.
“A e ke qat raport apo s’e ke? Veç këqyrne absurditetin që është duke ndodhë!”, ka thënë Molliqaj.
“Pra, policia u futë në një diskutim politik, publik, me anëtarët e Bordit të ZRRE-së”, tha Molliqaj.
Kryetari i Bordit rikthehet në zyrën e tij

Kryetari i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu është rikthyer në zyrën e tij pas konfrontimit para kamerave me Dardan Molliqaj e PSD-së.
Rikthimit të Fejzullahut brenda zyrës së tij i janë kundëpërgjigjur me zhurmë aktivistët e PSD-së të prirë nga Molliqaj.
Ata kanë lëshuar zhurmues për të protestuar kundrejt vendimit të ZRrE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Molliqaj i ka ftuar kreun e Bordit të ZRrE-së dhe anëtarët e tjerë që të dalin nga zyrat e tyre.
Molliqaj përplaset verbalisht edhe me kreun e Bordit të ZRrE-së
Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, është konfrontuar edhe me kryetarin e Bordit të ZrRE-së, Ymer Fejzullahu.
Molliqaj ka kërkuar nga ky i fundit që ta publikojë vendimin e ZRrE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, teksa ka shtuar se nuk do t’i lëshojnë zyrat deri në publikimin e këtij vendimi.
“Një vendim nuk hyn në fuqi deri sa të gjitha palët nuk informohen për përmbajtjen e vendimit”, tha Molliqaj.
“Sa është subvencionimi i qeverisë, tregoni”, shtoi ai.
Fejzullahu i ka kërkuar PSD-së dhe Dardan Molliqajt që t’i lejojnë punonjësit në ZRrE të punojnë.
“Na s’dalim prej këtu” – Molliqaj konfrontohet me zyrtarin e ZRrE-së

Dardan Molliqaj është përplasur me një zyrtar të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, në zyrat e organit të pavarur që rregullon sektorin energjetik.
Molliqaj dhe Partia Socialdemokrate organizuan një aktivitet tek selia e ZRrE-së në Prishtinë sot.
Aty, lideri i PSD-së u konfrontua me Petrit Pepajn, zëdhënës i ZRrE-së.
“Na s’po dalim prej këtu. Pse nuk e keni publikuar vendimin për rritje të energjisë elektrike? Pse nuk keni bërë sikurse herën e parë kur keni tregu qekaq rritet çmimi dhe qekaq është subvencionimi i qeverisë?”, pyeti Molliqaj.
“Ku shkojnë 100 milionë pra?”, vazhdoi Molliqaj.
Pepaj iu kundërpërgjij. Tha se nuk ka kompetenca për të biseduar për vendimin.
“Tash je kah më shtin me bisedu ma shumë sesa që më lejohet. Vendimi publikohet gjatë ditës ose nesër”, i tha Pepaj, Molliqaj.
/Paparaci.com
