Të fundit

Skandali i ATK-së, rekomandohet shkëputja e kontratës me armenët – humbin miliona

ATK-ja nuk ka arritur ta modernizojë sistemin e saj të teknologjisë informative në të cilën ka vite që investon. Një kompani armene e kontraktuar për zbatimin e këtij projekti ka mashtruar administratën. ATK-ja ka humbur mbi një milion euro. Javën e kaluar është propozuar shkëputja e kontratës. 

Eros Klaiqi

Administrata Tatimore e Kosovës ka rekomanduar shkëputjen e kontratës së dëmshme të lidhur me një konsorcium privat nga Armenia për shkak të dështimit të kontratës për modernizimin e sistemit të Teknologjisë Informative të ATK-së.

Konsorciumi privat i kryesuar nga kompania armene “IUNetworks” dy vite më parë kishte fituar tenderin për “Modernizimin e Sistemit të IT-së në ATK”, të vlefshëm 9.79 milionë euro.

Ky konsorcium, i udhëhequr nga “IUNetworks”, përbëhet edhe nga tri kompani kosovare: “Mikrobiz”, “PBC” Sh.P.K. dhe “Tax Accounting Group”. “IUNetworks” është firmë me bazë në Yerevan të Armenisë, me mbi 250 të punësuar, e cila udhëhiqet nga sipërmarrësi Vahram Merangulyan.

Pothuajse tri vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes mes palëve, kontrata nuk është zbatuar dhe ATK-ja ka rekomanduar shkëputjen e saj.

Një ekip i ATK-së i ngarkuar me detyrën për menaxhimin e kontratës, i ka rekomanduar Divizionit të Prokurimit që të shkëputë kontratën me konsorciumin privat armen si pasojë e mos përmbushjes së kontratës.

Propozimi për shkëputjen e kontratës së vlefshme afër 10 milionë euro mes ATK-së dhe konsorciumit “IUNetworks” i është dorëzuar Divizionit të Prokurimit javën e kaluar, më 22 dhjetor.

Paparaci ka siguruar propozimin e Ekipit për Menaxhimin e Kontratës.

Sipas përshkrimit të ekipit menaxhues, afati i fundit për implementimin e kontratës ishte data 16 dhjetor, 2022.

Me kalimin e këtij afati dhe dështimit të përmbushjes së obligimeve të rrjedhura me kontratë deri në këtë afat, ekipi menaxhues i kontratës i ka rekomanduar Divizionit të Prokurimit që të shkëputet kontrata dhe të merren hapa ligjorë ndaj kontraktorit.

“Andaj, meqenëse me datë 16.12.2022 ka përfunduar afati i fundit i planit të implementimit të kontratës, konkretisht Komisionimi —Testimi dhe Pranimi Operativ i ITAMIS, EMK, sikurse ka rekomanduar me shkresën e datës 21.03.2022, e konsideron kontratën e mbyllur dhe njëkohësisht prapë rekomandon divizionin e prokurimit që të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore, procedurale të parapara në kontratë dhe dispozita ligjore relevante, të cilat lidhen me ndërprerjen e kontratës”, thuhet në dokument.

Kontrata e dyshimtë, ATK-ja humbi miliona euro

Kontrata e lidhur mes ATK-së dhe konsorciumit privat armen në janarin e vitit 2020 është përcjellë me dyshime të forta për keqpërdorime që prej inicimit të procedurës së prokurimit dhe përzgjedhjes së kompanisë fituese.

Dyshimet e ngritura nga kompanitë e tjera konkurruese në tenderin e ATK-së kundër ligjshmërisë së kontratës, kanë rezultuar të sakta. Kontrata ka dështuar dhe ATK-ja ka humbur rreth 1.5 milionë euro nga buxheti.

Në emër të kontratës, ATK-ja ia ka paguar kompanisë armene rreth 2.7 milionë euro në fund të vitit 2021, ndonëse marrëveshja mes palëve nuk kishte filluar të zbatohej.

ATK-ja ia paguan mbi 2 mln € kompanisë armene pa kryer asnjë shërbim

Paparaci ka raportuar më parë se administrata ka marrë qortim nga një ekspert i Fondit Monetar Ndërkombëtar i përfshirë në proces. Fondet e projektit janë siguruar nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe një pjesë tjetër nga Bashkimi Evropian.

Me kontratën në fuqi, por me asnjë shërbim të ofruar, ATK-ja kishte vendosur në muajt e fundit të vitit 2021 që t’i zbuste dëmet e shkaktuara vetvetes dhe t’i ekzekutonte “penallti” konsorciumit armen.

Në tetor të vitit 2021, ATK-ja kishte filluar aplikimin e ndëshkimeve financiare ndaj “IUNetworks” për mosrealizimin e shërbimeve sipas kushteve të kontratës.

Fillimisht, ATK-ja kishte filluar të ekzekutonte “penallti” prej 5,000.00 eurove në ditë kundër konsorciumit armen në. Ndërkaq, vlera e ndëshkimit ishte rritur në 7,500.00 euro nga data 23 dhjetor, 2021.

Më 3 mars të vitit 2022, vlera e “penalltive” të ekzekutuara ndaj konsorciumit armen kishte arritur në 980 mijë euro.

“Ekipi per Menaxhimin e Kontratës me datë 03.03.2022 nga Divizioni i Prokurimit ka pranuar njoftimin në lidhje me vlerën e Ilogaritur të dëmeve të likuiduara, të cilat deri më datën 02.03.2022 kane arritur vlerën prej 980,189.53€. Vlera e Ilogaritur e dëmeve të likuiduara ka arritur në normën 10% të vlerës së përgjithshme të kontratës”, thuhet në shkresat zyrtare të ATK-së, të cilat i ka siguruar Paparaci.

Me ekzekutimin e penalltive në vlerë afër një milion eurove, ATK-ja ka arritur t’i “rikthejë” më pak se gjysmën e 2.7 milionë eurove që ia kishte paguar konsorciumit armen në emër të kontratës.

Armenia, në të cilën e ka bazën kompania “IUNetworks”, nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës.

Garancioni bankar për kontratën afër 10 milionëshe është vendosur në një bankë në Armeni dhe kjo lëvizje mund t’ia bëjë të vështirë ATK-së ekzekutimin e garancionit bankar në një shtet që nuk e njeh Kosovën.

Për çka ishte paraparë kontrata afër 10 milionëshe?

Në vitin 2020, ATK-ja e kishte prezantuar kontratën e lidhur me konsorciumin “IUNetworks” si një nga sukseset më të mëdha të institucionit.

“Konsorciumi armen ka plotësuar kriteret e kërkuara në kontratën për Modernizimin e Sistemit të Teknologjisë Informative të ATK-së”, kishte thënë Administrata Tatimore e Kosovës në janar, 2020, pas lidhjes së kontratës.

Përmes një komunikate për media, ATK-ja ishte krenuar me zhvillimin e procedurave tenderuese krahas tenderit, të cilat i kishte quajtur “të rregullta”.

“Në Administratën Tatimore të Kosovës sot është finalizuar marrëveshja kontraktuale me konsorciumin i cili pas procedurave të rregullta të prokurimit, ka fituar tenderin për implementimin e projektit të modernizimit të teknologjisë informative”, ishte thënë në njoftim.

ATK-ja kishte bërë të ditur se “përmes sistemit të ri të teknologjisë informative, do të lehtësohet deklarimi dhe pagesa e tatimeve, si dhe do të mundësohen metoda elektronike shumëkanalëshe të komunikimit”.

Qëllimi i këtij projekti ishte modernizimi i proceseve biznesore, lehtësirave për përmbushjen e tatimeve nga tatimpaguesit, ofrimi i shërbimeve elektronike me synim zëvendësimin e shërbimeve me letër.

Gjithashtu, projekti pritej të lehtësonte menaxhimin e proceseve ne mënyrë me efikase dhe inteligjente. /Paparaci.com

Thellohet skandali i kontratës milionëshe në ATK – ndëshkohet konsorciumi armen

Video nga Paradoks

Çka ka Mërgimi kundër LGBT? Sami Lushtaku tregon rastin, befason me qëndrimin e tij për martesat mes sek*sit të njejtë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci