Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, ka ritheksuar faktin se Millan Radojçiq ndodhet në Listën e Zezë të ShBA-ve, i pyetur rreth përgjimit të shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza-Kusari Lila.
Në përgjimin e publikuar të hënën nga portali Nacionale, Kusari-Lila e pranon se ka biseduar me Radojçiqin.
Ambasadori Hovenier ka thënë se nuk mund të ofrojë shumë komente, por ka kujtuar se Radojiçiq është në listën e zezë të Amerikës.
“Nuk mund të flas shumë për këtë, liderët politikë në Parlament kanë komunikim me të gjitha palët. Por Radojiçiq ju e dini se është në listë të zezë të ShBA-së”, tha ambasadori Hovenier, raporton RTV Dukagjini.
Këto deklarime ai i bëri pas hapjes së zyrave të reja të qendrës “Bonevet” në Pejë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se e ka të vështirë të thotë se janë afër arritjes së një zgjidhje për situatën në veri.
