Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për aksionin e sotëm në veri të vendit, shkruan Paparaci.
Nëpërmjet një komunikate për medie bëhet e ditur se aksioni ndodhi në tri lokacione e që kishte të bënte me rastin “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Gjatë aksionit janë gjetur arme, drogë dhe katër aparate të kriptovalutave.
“Gjatë kontrollit në njërin prej lokacioneve, hetuesit kanë gjetur një pushkë automatike, dy fishekë, një radio për komunikim ‘Motorola’, sasi të substancave narkotike si dhe katër aparate për kriptovaluta. Të gjitha gjësendet e gjetura janë konfiskuar në cilësi të provave materiale. Në lidhje me provat materiale, në cilësi të personit të dyshuar është duke u intervistuar një person mashkull kosovar”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës
Tutje në komunikatë thuhet se “Në konsultim me prokurorin, rastet: ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Posedim i substancave narkotike’ do të hetohen nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jug, ndërsa aparatet për kriptovaluta janë konfiskuar nga ana e njësive të DRP Mitrovicë Veri, e cila drejtori edhe do të procedojë tutje më këtë rast”.

