Të fundit

Skandali milionësh, ndërpritet kontrata e dëmshme e ATK-së me kompaninë armene

Të martën i është dhënë fund një marrëveshje të dëmshme të Administratës Tatimore të Kosovës. ATK-ja ia ka ndërprerë kontratën konsorciumit privat të udhëhequr nga kompania armene, “IUNetworks”. Paparaci ka raportuar tash e një vit për kontratën e vlefshme afër 10 mln euro. 

Administrata Tatimore e Kosovës e ka shkëputur të martën kontratën e dyshimtë, të vlefshme rreth 10 milionë euro, me një konsorcium privat të udhëhequr prej një kompanie private nga Armenia.

Të martën, ATK-ja i ka dhënë fund kontratës të dyshimtë me arsyetimin kryesor se konsorciumi privat – i kryesuar nga kompania armene “IUNetworks” L.L.C – nuk i ka përmbushur obligimet e rrjedhura nga marrëveshja mes palëve.

Paparaci ka siguruar vendimin për ndërprerjen e kontratës, e cila ishte lidhur në janarin e vitit 2020 dhe parashihte modernizimin e sistemit të Teknologjisë Informative sipas kërkesës së ATK-së.

Në vendim, thuhet se ATK-ja ka refuzuar kërkesën e konsorcumit privat për zgjatjen e kontratës dhe ndryshimit të planit për implementimin e saj.

“Ndërpritet dhe përmbyllet kontrata përshkak mos realizimit dhe mos përmbushjes të kontratës nga Fumizuesi të kontratës ‘Modernizimi i Sistemit të Teknologjisë Informative sipas kërkesave dhe nevojave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK)’”, thuhet në vendim.

“Refuzohet kërkesa e datës 15.12.2022 për zgjatjen e kontratës dhe ndryshimin e planit për implementimin e kontratës e parashtruar nga Fumizuesi”, thuhet në pikën 2 të vendimit.

Armenia, në të cilën e ka bazën kompania “IUNetworks”, nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës.

Garancioni bankar për kontratën e vlefshme 9.79 milion euro është vendosur në një bankë në Armeni dhe kjo lëvizje mund t’ia bëjë të vështirë ATK-së ekzekutimin e garancionit bankar në një shtet që nuk e njeh Kosovën.

Megjithatë, në pikën 2 të vendimit të ATK-së për ndërprerjen e kontratës është nxjerrë vendim për konfiskimin e garancionit bankar në vlerë prej 1.9 milionë euro.

“Konfiskohet garancioni bankar i ekzekutimit të kontratës në vlerën 1,958,712.20 C i dorëzuar për këtë kontratë nga Furnizuesi”, thuhet në vendim.

Në arsyetimin e vendimit theksohet se furnizuesi ka dështuar të përmbush kontratën dhe të dorëzojë produktin e plotë për të cilin është kontraktuar.

“Fumizuesi e ndërpret të gjithë punën e mëtutjeshme për këtë kontratë”, thuhet në vendim. “Furnizuesi ka dështuar ti dorëzojë Autoritetit Kontraktues produktin e plotë e të kompletuar ITAMIS sipas kushteve kontratës, për më tepër Fumizuesi ka të dështuar të dorëzojë edhe ndonjë produit- Modul funksional të pranueshëm që mund të përdoret apo të ketë ndonjë dobi Autoritetit Kontraktues sipas kushteve të kontratës”.

Lexo edhe:

Thellohet skandali i kontratës milionëshe në ATK – ndëshkohet konsorciumi armen

ATK-ja ka thënë se ka vërtetuar se “fajësia dhe përgjegjësia për mosrealizimin dhe mospërmbushjen e detyrimit të plotë dhe pjesshëm të kontratës është e Fumizuesit të cilit i ka përfunduan edhe afati shtesë i arsyeshëm i dhënë më vonë pas kontratës”.

Paparaci, raportoi të martën se Administrata Tatimore e Kosovës ka rekomanduar shkëputjen e kontratës së dëmshme të lidhur me konsorciumin privat të udhëhequr nga “IUNetworks” L.L.C.

Konsorciumi privat i kryesuar nga kompania armene “IUNetworks” dy vite më parë kishte fituar tenderin për “Modernizimin e Sistemit të IT-së në ATK”, të vlefshëm 9.79 milionë euro.

Ky konsorcium, i udhëhequr nga “IUNetworks”, përbëhet edhe nga tri kompani kosovare: “Mikrobiz”, “PBC” Sh.P.K. dhe “Tax Accounting Group”. “IUNetworks” është firmë me bazë në Yerevan të Armenisë, me mbi 250 të punësuar, e cila udhëhiqet nga sipërmarrësi Vahram Merangulyan.

Pothuajse tri vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes mes palëve, kontrata ka dështuar.

Një ekip i ATK-së i ngarkuar me detyrën për menaxhimin e kontratës, i ka rekomanduar Divizionit të Prokurimit që të shkëputë kontratën me konsorciumin privat armen si pasojë e mos përmbushjes së kontratës.

Propozimi për shkëputjen e kontratës së vlefshme afër 10 milionë euro mes ATK-së dhe konsorciumit “IUNetworks” i është dorëzuar Divizionit të Prokurimit javën e kaluar, më 22 dhjetor.

Kjo kontratë është përcjellë me dyshime të forta për keqpërdorime që prej inicimit të procedurës së prokurimit dhe përzgjedhjes së kompanisë fituese.

Dyshimet e ngritura nga kompanitë e tjera konkurruese në tenderin e ATK-së kundër ligjshmërisë së kontratës, kanë rezultuar të sakta. Kontrata ka dështuar dhe ATK-ja ka humbur rreth 1.5 milionë euro nga buxheti.

Në emër të kontratës, ATK-ja ia ka paguar kompanisë armene rreth 2.7 milionë euro në fund të vitit 2021, ndonëse marrëveshja mes palëve nuk kishte filluar të zbatohej.

Paparaci ka raportuar më parë se administrata ka marrë qortim nga një ekspert i Fondit Monetar Ndërkombëtar i përfshirë në proces. Fondet e projektit janë siguruar nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe një pjesë tjetër nga Bashkimi Evropian.

Me kontratën në fuqi, por me asnjë shërbim të ofruar, ATK-ja kishte vendosur në muajt e fundit të vitit 2021 që t’i zbuste dëmet e shkaktuara vetvetes dhe t’i ekzekutonte “penallti” konsorciumit armen.

Në tetor të vitit 2021, ATK-ja kishte filluar aplikimin e ndëshkimeve financiare ndaj “IUNetworks” për mosrealizimin e shërbimeve sipas kushteve të kontratës.

Fillimisht, ATK-ja kishte filluar të ekzekutonte “penallti” prej 5,000.00 eurove në ditë kundër konsorciumit armen në. Ndërkaq, vlera e ndëshkimit ishte rritur në 7,500.00 euro nga data 23 dhjetor, 2021.

Më 3 mars të vitit 2022, vlera e “penalltive” të ekzekutuara ndaj konsorciumit armen kishte arritur në 980 mijë euro.

Me ekzekutimin e penalltive në vlerë afër një milion eurove, ATK-ja ka arritur t’i “rikthejë” më pak se gjysmën e 2.7 milionë eurove që ia kishte paguar konsorciumit armen në emër të kontratës. /Paparaci.com

ATK-ja ia paguan mbi 2 mln € kompanisë armene pa kryer asnjë shërbim

Video nga Paradoks

Çka ka Mërgimi kundër LGBT? Sami Lushtaku tregon rastin, befason me qëndrimin e tij për martesat mes sek*sit të njejtë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci